Në kundërshtim me Rregulloren e Ministrisë së Financave, zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës kanë financuar organizatat joqeveritare gjatë vitit 2019. Ata nuk kanë bërë fare thirrje publike siç parashihet në këtë dokument.
Neni 12 i Rregullores MF Nr.04/2017 përcakton që çdo mbështetje financiare për OJQ-të duhet të shpallet me thirrje publike, e cila duhet të publikohet në ueb-faqen e ofruesit të mbështetjes financiare, shkruan KOHA.
“Për vitin 2019, Komuna nuk kishte përgatitur dhe nuk kishte dërguar në Zyrën e Kryeministrit planin vjetor për mbështetjen financiare, si dhe raportin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të (siç parashihet në nenin 6 dhe 26 v.j.). Po ashtu, Komuna kishte bërë financimin e OJQ-ve pa bërë shpalljen publike. Kjo kishte ndodhur për shkak të kujdesit jo të duhur të zyrtarëve përgjegjës që planin dhe raportin vjetor t’i dorëzojnë me kohë në Zyrën e Kryeministrit dhe financimi të bëhej përmes shpalljes publike”, thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Por kjo nuk është e gjetura e vetme e Auditorit për këtë komunë. Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës në disa raste nuk kanë arritur të arkëtojnë të hyrat e qirasë.