Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë kërkuar tërheqjen e dispozitave që i cilësojnë diskriminuese nga draft-rregullorja e re e Komunës së Prishtinës për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, si dhe organizimin e një procesi të veçantë dhe të strukturuar të konsultimit publik.
Në një reagim të përbashkët të mërkurën, dy organizatat kanë shprehur shqetësim për përmbajtjen e draftit që aktualisht ndodhet në konsultim publik, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e propozuara rrezikojnë të cenojnë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe trajtimit të drejtë të qytetarëve dhe bizneseve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tyre, drafti parasheh vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa ofruar një metodologji të qartë të llogaritjes apo një analizë të ndikimit ekonomik. Po ashtu, kundërshtime ka ngjallur edhe propozimi për vendosjen e një tarife prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës që hyjnë në territorin e kryeqytetit.
Megjithatë, në një reagim gjatë ditës së sotme, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se po shqyrtohet që tarifa për veturat që hyjnë në qendër të kryeqytetit të jetë 1-2, e për kamionë të jetë 10 euro. Ka theksuar se këto tarifa nuk do të jenë të nevojshme në rast se Qeveria arrin të zhbllokojë fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të dedikuara për ndërtimin e unazës së qyetit.
GAP-i dhe KLGI vlerësojnë se masa të tilla krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet qytetarëve dhe subjekteve ekonomike, duke rrezikuar shkeljen e parimit të mosdiskriminimit.
Organizatat rikujtojnë se Prishtina është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë nga buxheti i shtetit për shkak të statusit të saj si kryeqytet, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit. Sipas tyre, kjo mbështetje financiare synon të adresojë ngarkesën shtesë administrative dhe funksionale të qytetit, si dhe të krijojë kushte më të mira zhvillimi për të gjithë qytetarët.
“Në këtë kontekst, politikat komunale që ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset dhe qytetarët duhet të bazohen në parimin e mosdiskriminimit dhe të mos krijojnë barrë të pabarabartë për kategori të caktuara”, thuhet në reagim.
GAP dhe KLGI i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të heqë dorë nga dispozitat që prodhojnë trajtim diskriminues ose përjashtues, të zhvillojë konsultime të ndara me grupet e prekura dhe të sigurojë një analizë të detajuar të ndikimit të ndryshimeve të propozuara.
Sipas tyre, një rregullore me ndikim kaq të gjerë nuk duhet të trajtohet përmes një konsultimi formal të përgjithshëm, por përmes diskutimeve të drejtpërdrejta me bizneset, qytetarët dhe grupet e interesit.
Në fund, dy organizatat theksojnë se rregulloret komunale duhet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe bizneset.