Tre kryetarë të komunave të rajonit të Prishtinës: Podujevë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq, kanë arritur të përmbushin vetëm 12 nga 165 premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.
Ndërkohë që për kryetaren e Komunës së Graçanicës nuk figurojnë të dhëna në platformën e Institutit për Politika të Avancuara GAP, cili ka disa vjet që e bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve nga kryetarët e komunave.
Për periudhën janar-qershor 2022, sipas GAP-it, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi (LVV), ka arritur t’i përmbush 8 nga 61 premtimet e bëra, Xhafer Gashi (LDK) i Obiliqit i ka përmbushur 3 nga 69 premtime, kurse kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha (LDK) ka realizuar vetëm 1 premtim nga 35 sa i ka bërë gjithsej.
Bazuar në platformën “Letërnjoftimi i komunave” i Institutit GAP, Bulliqi deri më 30 qershor i ka edhe 5 premtime gjysmë të përmbushura, 18 i ka filluar, kurse 30 nuk i ka filluar ende. Prej premtimeve të përmbushura 4 janë në fushën e arsimit dhe nga 1 në bujqësi, kulturë, shëndetësi dhe sport.
Premtime gjysmë të përmbushura i ka nga një në fushën e arsimit, infrastrukturë, kulturë, shëndetësi dhe shërbime publike. Kurse të filluara janë një premtim në administratë, pesë në arsim, një në bujqësi, tri në infrastrukturë, një në kulturë, dy në shëndetësi dhe pesë në shërbime publike.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, të përmbushur ka një premtim në fushën e bujqësisë dhe dy në shëndetësi. Bazuar në platformën e GAP-it, kryetari Gashi i ka gjysmë të përmbushura një premtim në administratë, një në ekonomi dhe tri në shërbime publike. Kurse të filluar janë një në administratë, dy në arsim, dy në bujqësi, një në ekonomi, tri në infrastrukturë, një në kulturë dhe dy në shërbime publike.
E kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, megjithëse i figuron vetëm një premtim i përmbushur, as ai nuk është i realizuar në tërësi.
“Në kuadër të pastrimit të hapësirave të parkut ‘Te Pishat’, Komuna e ka bërë rrafshimin dhe zgjerimin e stadiumit të futbollit në Sllatinë të Madhe”, thuhet në pjesën shpjeguese të Institutit GAP. Kurse premtimi ka qenë të bëhet rinovimi dhe zgjerimi i stadiumit të madh të futbollit në Miradi të Poshtme, Sllatinë e Madhe dhe Miradi e Epërme. Berisha dy premtime të filluara i ka në bujqësi dhe shërbime publike.
Ndërkohë, te pjesa e kryetares së Graçanicës, Liljana Subariq (LS) nuk figuron asnjë premtim.
“Në komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nga kandidatët për kryetarë nuk ka pasur fushatë aktive në terren, nuk kanë shpalosur programe elektorale, nuk kanë zhvilluar takime me qytetarë-biznese dhe nuk janë përfaqësuar në debate mediale elektorale. Si rezultat i kësaj, GAP-i nuk ka mundur të evidentojë asnjë premtim te këto komuna, ku përfshihet edhe Graçanica”, ka theksuar Bekim Salihu nga Instituti GAP.