Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, theksoi sfidat e vazhdueshme në procesin e dialogut me Serbinë, duke akuzuar Beogradin për mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve si heronj.
Ajo u shpreh se përdorimi i termit “Kosova e Metohija” është tregues i qartë i përkatësisë ideologjike me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
“Besoj se jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa i vështirë është ky proces i dialogut në shekullin e 21-të sepse ne ende kemi të bëjmë me njerëz që në Beograd i mohojnë krimet e luftës, i mohojnë gjenocidin, i cilësojnë kriminelët e luftës si heronj dhe e bëjnë këtë në prezencë të njerëzve që janë mjaftueshëm të vjetër që të dinë se çka ndodhi në të 90’ta. Kur e dëgjoni dikë duke thënë ‘Kosova e Metohija’ më besoni se keni përballë mbështetës të ideologjisë së Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë ajo.
Gërvalla rikujtoi se agresioni i ndodhur në Banjskë nuk ishte një incident, por akt terrorist i planifikuar nga shteti serb kundër Republikës së Kosovës.
“Banjska nuk ka qenë incident, Banjska ka qenë një agresion i hapur i Serbisë, i shtetit të Serbisë kundër një shteti fqinj, kundër Republikës së Kosovës. Të gjithë këtu dhe jashtë kësaj ndërtese e dinë se kush qëndron pas gjithë kësaj, e kemi parë të gjithë në videot e publikuara nga rasti në Banjskë që kaloi pa pasoja”, ka thënë ajo.
