Kohavision qëndron me publikun në çdo moment. Ciklin e një viti tjetër me mbulime ngjarjesh në të gjitha fushat e kurorëzon me program festiv me rastin e ndërrimeve të moteve. Festa, hareja e energjia e ngrohtë vjen nëpërmjet ekranit të KTV-së me kapitullin e radhës së të kremtes. Oferta e televizionit me traditë një çerekshekull është e larmishme.
Maratona festive treditore nis që në mëngjesin e 31 dhjetorit me emisionin “Sot”. Emisioni “Dive me Crazy” sjell atmosferën e festës me këngëtarin Xhaner Gashi e emisioni muzikor “Top Koha Music” prezanton 25 hitet më të dëgjuara të vitit, duke reflektuar pulsin muzikor të një viti të tërë.
Producentja ekzekutive e KTV-së, Rea Surroi, ka dhënë detaje për nisjen e maratonës festive në ekran.
“Shikuesit do të ‘zgjohen’ me festë, me programin e mëngjesit ‘Sot’, udhëhequr nga Agnesa Vitia dhe ekipi i mrekullueshëm i këtij emisioni. Të gjitha informacionet rreth shërbimeve publike, rrjedhshmëria e furnizimit me ujë, energji elektrike, transporti urban, të gjitha këto informacione do të kumtohen në kohë reale. Të shoqëruar me muzikë, do të zhvillohen biseda interesante, sa argëtuese po aq edhe informuese. Do të komentohet shporta mesatare e qytetarit të Kosovës dhe zgjedhja për të festuar në shtëpi apo restorant. Gjithashtu lidhja direkte nga sheshi kryesor i kryeqytetit nuk do të mungojë”, ka bërë të ditur Surroi.
Ka thënë se siç tradicionalisht ndodh, “Kohavisioni edhe këtë fundvit përcjell atmosferë magjike, të ngrohtë e të hareshme përmes programit të përgatitur enkas për fundvit”.
Ngjyrat e festës së shumëfishtë dhe të trashëgimisë
Edicione festive të të gjitha emisioneve shikuesit do të mund të shijojnë më 31 dhjetor. Në “Rreth botës” do të mund të shihni ngjarjet që e kanë karakterizuar botën këtë vit, sikurse edhe të rikujtoni ngjarjet e vitit nga desku i lajmeve. Po ashtu gjatë kësaj dite do të transmetohet ceremonia e shpërblimeve “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari.
Zëvendësproducentja ekzekutive e Kohavisionit, Edona Bekteshi-Shala, ka thënë se ekipi i televizionit ka punuar për të sjellë tri ditë maratonë festive, të ekuilibruara midis argëtimit cilësor dhe përmbajtjes që bashkon publikun.
“Në një realitet ku diskursi publik dominohet nga politika, ne kemi zgjedhur të ruajmë ekuilibrin përmes argëtimit cilësor dhe përmbajtjes që bashkon publikun. Me këtë qëllim prej kohësh jemi përgatitur për një program të pasur festiv, i cili sjell në ekran një larmi artistësh të njohur të skenës muzikore shqiptare, me këngë të reja dhe hite të pavdekshme, të shoqëruara nga performanca live e grupit muzikor ‘Kadenca’”, është shprehur ajo.
Për televizionin me traditë 25-vjeçare, ky vit qe jubilar, që shënoi plot një çerekshekull punë. Transmetimi i parë më 22 shtator të vitit 2000 do të vijonte me punën kolosale të një ekipi profesionist përherë në rritje, gjer më sot. Kësisoj edhe e vizualizoi informacionin. Ngase që nga viti 1997 me gazetën “Koha Ditore”, dallohej si hapësirë e gazetarisë së pavarur, e cila në qendër e vendosi profesionalizmin, etikën e interesin publik.
Ky rrugëtim do të shpaloset nëpërmjet dokumentarit “25”, prodhim i KTV-së, nën regjinë e producentes ekzekutive Rea Surroi.
“Viti 2025 ishte vit feste për Kohavisionin. Shënoi çerekshekullin e themelimit të tij. Prandaj përmes rrëfimeve të personave publikë, të cilët ishin të punësuar dikur dhe ata të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e KTV-së, shoqëruar me materiale nga arkivi i televizionit, paraqitet ‘trashëgimia’ programore dhe pesha e saj në skenën mediale. Dokumentari ‘25’ përbën tri pjesë, të cilat do të transmetohen radhazi, më datën 1, 2 dhe 3 janar prej orës 17:15”, ka thënë Surroi.
Bekteshi-Shala e ka cilësuar vit të rëndësishëm 2025-tën për televizionin që nuk u nënshtrohet sfidave të tregut medial.
“Po e përmbyllim një vit të rëndësishëm për ne si televizion, duke qenë se viti 2025 shënoi edhe 25-vjetorin e themelimit tonë. Viti 2025, pavarësisht sfidave të vazhdueshme të tregut medial, u dëshmua si një vit i qëndrueshmërisë, profesionalizmit dhe rritjes. Ky vit nuk na dobësoi, por na bëri edhe më të fortë dhe më të përkushtuar ndaj misionit tonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se i njëjti ritëm e pret Kohavisionin edhe më 2026.
“Faleminderit shikuesve tanë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre 25 vjetëve. Me të njëjtin përkushtim dhe energji, hyjmë në vitin e ri me synimin për të ofruar përmbajtje edhe më cilësore, më dinamike dhe më afër publikut”, ka thënë zëvendësproducentja ekzekutive e KTV-së, Edona Bekteshi-Shala.

Yjet në natën më të gjatë të vitit dhe surpriza të tjera
Programi qendror festiv është kuruar me kujdes. Si përherë, televizioni vazhdon të promovojë vlerat e këngës shqipe. Kësisoj, derisa familjet shqiptare festojnë të bashkuar, argëtohen me këngët e emrave të shquar të skenës muzikore. Natën më të gjatë të vitit e bëjnë edhe më të bukur zërat e këngëtarëve: Sinan Vllasaliu, Linda Hakaj, Saranda Aliu, Faton Isufi, Neki Emra, Artan Bakija, Hysni Klinaku, e shumë të tjerë, shoqëruar nga grupit muzikor “Kadenca”.
“Nuk ka festë të ndërrimit të motmoteve pa këngën e çiftit simpatik të estradës sonë, Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Gjithashtu, këngëtari i njohur Sinan Vllasaliu ‘ndriçoi’ skenën tonë”, ka thënë producentja ekzekutive, Rea Surroi, derisa ka dhënë detaje shtesë rreth programit qendror festiv.
Këngëtari Sinan Vllasaliu ka thënë se performuesit përherë e më shumë këndojnë me orkestër dhe se kësisoj po bëhen ndryshime.
“Mendoj se duhet të ketë orkestër live, ta shijojnë njerëzit emocionin e kësaj mbrëmjeje. Është ndërrimi i moteve dhe ka rëndësitë e kënaqësitë e veta, por po duket pak më lehtë me ‘playback’, por besoj se me kohë do të ndryshojë. Ne sonte e kemi një orkestër të mirë dhe do të ketë program të mirë. Dhe këtu fillojnë ndryshimet. Gjithmonë ndryshimet fillojnë ngadalë, por kur janë të mira dhe të sigurta, më mirë vonë se hiç”, është shprehur ai.
Edhe këngëtarja Linda Hakaj ka thënë se ndër vite po ndryshojnë emisionet e Vitit të Ri, si rrjedhojë e interpretimeve live.
“Kam zgjedhur tri këngë të vjetra popullore. Shpresoj që publiku do t’i pëlqejë. Do të mundohem t’i sjell në mënyrën më të mirë bashkë me orkestrën dhe me gjithë kolegët tanë. Tash kemi mundësi t’i realizojmë më mirë, sepse kemi mundësi të këndojmë live. Më herët ka qenë mundësi e mangët, për arsye teknike. E mira e punës është që ajo dëshira që e kam pasur kaherë të këndoj gjithmonë live në emisionet e Vitit të Ri veç po më realizohet”, ka thënë ajo.
Këngëtari Neki Emra, kënga e njërit prej të cilëve do të jehojë në programin qendror festiv të KTV-së, ka thënë se ai dhe kolegët e tij kanë zgjedhur program të bukur. E vetë programin e ka konsideruar edhe si organizimin e vetëm ku ata kanë mundësi të takohen.
“Ne gjithmonë mblidhemi për ata që janë nëpër shtëpitë e tyre të kënaqen, t’u ofrojmë një natë ndryshe. Normalisht të jemi bashkë në shtëpitë e secilit shqiptar. Xhirimet kanë shkuar mirë, edhe përzgjedhja e këngëve tek artistët ka qenë shumë, shumë e mirë këtë herë. Mendoj se do të pëlqehet nga njerëzit. Ka pasur potpuri, kam edhe këngë të miat, të cilat i kam kënduar, por do të këndojmë edhe live, që t’ua ofrojmë atmosferën që e bëjmë në shumicën e herëve, që të ketë kombinim nga të gjitha”, është shprehur Emra.
Këngëtari Artan Bakija ka thënë se vitin 2025 e kanë karakterizuar ngjarjet e shumta në skenën kulturore.
“Ajo çfarë më ka pëlqyer në vitin 2025 ka qenë që ngjarjet kulturore kanë pasur një hov më të madh, në të njëjtën kohë kemi pasur më shumë koncerte dhe si rrjedhojë, edhe një herë e kam fituar festivalin ‘Zambaku i Prizrenit’, kësaj radhe në rolin e tekstshkruesit dhe kompozitorit të këngës, e cila mori vendin e parë”, ka thënë ai.
Programi qendror festiv është prezantuar nga Ardiana Dragusha dhe Urata Restelica.
Dragusha ka thënë se shikuesit i pret atmosferë e jashtëzakonshme.
“Këtë po na e sjellin artistët, që janë emra të mëdhenj që i kemi në vend. Andaj të gjithë shikuesit i ftoj të qëndrojnë me programin e KTV-së për programin qendror festiv. Është punë shumë e madhe e ekipit realizues, jo vetëm për ne si prezantuese, por edhe për kolegët kameramanë, regjinë, montazhin. Të gjithë e bëjnë punën e jashtëzakonshme që të transmetohet në mënyrën më të mirë tek audienca”, ka thënë ajo.
Maratona vazhdon...
Pjesë e programit do të jetë edhe Ardian Limanmera & “Bohemët Sofra” të cilët do të sjellin potpuri të muzikës popullore në natën e 1 janarit.
Në “Express” festiv arti e kultura vijnë në një bisedë më ndryshe. Mysafirë të producentes Edona Binaku janë aktorët Dukagjin Podrimaj e Xhejlane Tërbunja, sopranoja Elikona Hysaj-Shala dhe Kushtrim Dushi, organizator i shumë ngjarjeve kulturore. Emisioni “Nëpër film” sjell bashkëbisedën midis producentes Edona Binaku dhe aktorit Kushtrim Hoxha. Receta festive vjen në kuadër të emisionit “Te Linda”, nën ritmet e muzikës.
Por këtyre emisioneve u paraprin edhe një tjetër kapitull.
“Kohavisioni është përkujdesur edhe për të vegjlit, duke përgatitur emision special me fëmijët në fermë. Qëllimi i këtij emisioni ishte t’i edukojmë brezat e vegjël për rëndësinë e krijimit të afërsisë me natyrën dhe kafshët, larg ekraneve të telefonave. ‘PFF’ në fermë do të transmetohet me 1 janar në orën 16:00”, ka thënë producentja ekzekutive, Rea Surroi.
Programi festiv përfshin edhe filma, sport me “Tregime sportive” e emisione informative.
Emisioni “Rozë” me Urata Restelicën sjell edicionin e parë, një prezantim special, që pasohet nga takimi i përjavshëm i publikut me lajmet, historitë dhe personazhet që bëjnë zhurmë në skenën publike.
E në episodin e parë “Rozë” sjell top pesë ngjarjet që shënuan vitin 2025 në botën e showbiz-it si hitet që dominuan skenën, fytyrat publike që u kthyen në fenomen, momentet që pushtuan rrjetet sociale dhe ngjarjet që lanë gjurmë të forta në opinionin publik.
“Cilat ishin lajmet më të përfolura në shoubizin vendor gjatë vitit 2025, do të kuptohen përmes emisionit më të ri për lajmet nga bota e artit, muzikës dhe yjeve, ‘Rozë’”, ka thënë Surroi.
Në shtator të këtij viti, kur Kohavisioni festoi 25 vjetët që nga themelimi, u organizua koncerti me grupin vokal “Zanat”, që sollën perlat e këngës shqipe. Ky koncert do të transmetohet më 2 janar.
Edhe emisioni dedikuar kryeqytetit “038” ka përgatitur edicion të veçantë festiv.
“Ky edicion u është dedikuar ‘heronjve’ të kryeqytetit, punonjësve të shërbimeve publike. Protagonistë në këtë emision janë: një punëtor i kompanisë ‘Pastrimi’, një zjarrfikës dhe një punëtor i ‘Trafikut Urban’. Ata rrëfejnë sfidat me të cilat përballen, të panjohurat e dhe prapaskenat gjatë aktivitetit të tyre në punë. Gjithashtu do të kuptojmë më shumë edhe nga kuzhina qendrore, e që kuzhinierja do të na tregojë cili është ushqimi i preferuar i fëmijëve”, ka bërë të ditur Rea Surroi.
Programi festiv përfshin edhe filma, sport e emisione informative. “Si çdoherë, përzgjedhja e filmave është speciale, ku gjatë këtyre netëve do t’u servohen filmat kult të kinematografisë botërore”, ka thënë Surroi. Special është i tërë programi. Titullohet “Gëzuar me KOHËN!” Është ftesë për festë, me traditë e shije.