Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjenden mbetje të reja mortore të viktimave të dyshuara të luftës

Gërmime për mbetje mortore në Përzhin, Rahovec (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Mbetje mortore, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur gjatë gërmimeve disaditore të kryera në Përzhin të Rahovecit. Ato janë dërguar menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për analizë. E kërkimet në këtë zonë kanë rifilluar, pas atyre të dhjetorit të 2025-tës, duke u bazuar në dyshimin se aty mund të gjenden eshtra edhe të disa personave të tjerë të zhdukur gjatë luftës

Që prej disa ditësh, Halit Krendali i ka përcjellë me vëmendje të madhe gërmimet në Përzhin të Rahovecit, me shpresën se në këtë lokacion do të gjenden mbetje mortore të xhaxhait të tij, të zhdukur që nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në këtë zonë, gjatë së mërkurës janë gjetur mbetje mortore, të cilat mund t’i përkasin të paktën një të zhdukuri nga koha e luftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Krendali ka shprehur besimin se aty mund të jenë edhe eshtrat e familjarit të tij.

“Këtu e kam të varrosur xhaxhain tim, Ramadan Krandali. Ne, të gjithë familjarët e këtyre të varrosurve, gjithmonë jemi duke pritur se kur del ajo informatë. Sipas informatave që i kemi dëgjuar në video, në polici ose te komandanti i policisë në atëkohë që ka qenë, thoshte se 40 (persona) kanë qenë të varrosur në Rahovec dhe 10 në Prizren. Këtu janë varrosur të gjithë, në atë pjesën aty, me emër mbiemër. Duke iu falënderuar Komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur disa mbetje janë gjetur. Shpresoj t’i gjejmë familjarët tanë”, ka theksuar ai. 

Krandali e ka përshkruar si të rëndë për familjarët pritjen për gjetjen e më të dashurve të zhdukur. 

“Xhaxhai im i ka lënë tri vajza e tre djem. Varri i tij ka mbetur i thatë, afër varrit të gruas së tij. Gjithmonë kur vijnë për vizitë apo për Bajram, familjarët e fëmijët gjithmonë kthehen edhe te varri i babit të tyre, sikur ai të ishte aty”, është shprehur ai.

Mbetjet mortore që janë gjetur gjatë gërmimeve në Përzhin të Komunës së Rahovecit janë përcjellë menjëherë për analizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Antropologu mjekoligjor, Valon Hyseni, ka thënë se tani pritet të nisë puna për identifikimin e mbetjeve kockore nëpërmjet autopsisë dhe analizës së ADN-së.

“Deri më tani kemi gjetur mbetje mortore të paktën të tre trupave, ku dy trupa janë gjetur në muajin dhjetor, ndërsa mbetje mortore të paktën të një trupi janë gjetur gjatë kësaj jave. Gjithashtu janë gjetur edhe disa mbetje kockore, ku numri minimal i individëve në ato mbetje kockore nuk dihet, pa analizimin e Institutit të Mjekësisë ligjore”, ka theksuar ai.

E Kushtrim Gara, i cili është anëtar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se gërmimet në këtë zonë kanë rifilluar, duke u bazuar në dyshimet se aty mund të gjenden edhe eshtra të tetë individëve të zhdukur gjatë luftës. Dyshimin ai e ka bazuar në informatat në posedime se aty, gjatë verës së 1998-s, forcat serbe i kanë varrosur trupat e 47 viktimave të Masakrës së Rahovecit.

“Në këtë lokacion, forcat serbe në verën e vitit 1998 kanë varrosur, po e them ‘kanë varrosur’ për shkak të familjarëve, por kanë groposur, në përpjekje për t’i fshehur gjurmët e krimit, kufomat e 47 viktimave. Tre prej të cilëve janë marrë nga vetë familjarët. Realisht i bie që në këtë zonë kanë qenë të varrosura kufomat e 44 viktimave të luftës, përkatësisht të masakrës së verës 1998. Pastaj, në shqyrtim të këtyre të dhënave, përkundër gërmimeve dhe zhvarrimeve që kanë ndodhur në vazhdimësi gjatë këtyre 27 vjetëve, duke filluar nga tetori i 99-s, ekipet mjekoligjore nga Tribunali i Hagës, pasuar pastaj nga gërmimet nga UMNIK-u, Policia e Kosovës, kemi konkluduar që mbetjet mortore ose kufomat edhe të paktën tetë viktimave mund të jenë në këtë lokacion”, ka theksuar Gara.

Gërmimet në Përzhin kanë nisur më 4 mars, ndërsa pritet që të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.

Florim Elshani, shef i sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës që funksionon në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se gërmimet janë duke u zhvilluar në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe në bazë të urdhëresës së gjykatës.

“Pas fillimit me datën 4, 5, 9, 10 edhe sot jemi duke gërmuar në këtë lokacion dhe me vetë faktin që kemi gjetje eshtërore me prejardhje njerëzore, të cilat janë me interes forenzik. Nuk mundemi me thanë me ditë, por sigurisht edhe javën në vazhdim do të ketë punime në këtë lokacion pasi që lokacioni është i ndarë në disa zona apo sektorë dhe për shkak të ndjeshmërisë së terrenit puna duhet të kryhet me kujdes të shtuar, sepse po flasim për mbetje mortore, ku çdo pjesë e tokës duhet të kontrollohet me kujdes”, ka theksuar Elshani.

Në këtë lokacion, gjatë gërmimeve të dhjetorit të shkuar u patën gjetur mbetje kockore të dy personave të cilët dyshohet se janë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Rezultatet nga analizat për identifikimin e tyre ende nuk janë bërë publike.

Masakra e Rahovecit ka ndodhur në verën e vitit 1998, kur forcat serbe kanë vrarë dhe kanë masakruar mbi 100 civilë. E në përpjekje për t’i fshehur gjurmët e krimit, trupat e më shumë se 40 viktimave janë groposur në këtë zonë.

Së fundi, mbetjet mortore të tri viktimave të luftës – Bali (Pajazit) Gashi, Fadil (Shaban) Elezaj dhe Masar (Ymer) Dushi, të cilët kanë qenë në listën e personave të zhdukur dhe janë identifikuar nëpërmjet analizës shkencore të ADN-së, janë rivarrosur më 27 shkurt në Klinë. Mbetjet e tyre mortore u patën zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin.

Gjatë vitit 2025, gërmime janë kryer në 33 lokacione, ndërsa janë gjetur mbetje mortore të 22 individëve. 

Nga lufta në Kosovë, të zhdukur konsiderohen ende edhe 1 mijë e 577 persona, kryesisht shqiptarë.