Arbëri

Guri: Do t’i publikojmë votat nëse ka votim të fshehtë, VV-ja ka dakordim me Listën Serbe

Paris Guri - LDK

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka deklaruar nëse Gjykata Kushtetuese jep qëndrimin pro votimit të fshehtë për konstituim të Kuvendit, partia e tij do t’i publikojë votat.

Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se LDK-ja s’do të pranojë që nëpërmjet deputetëve të tyre, Lëvizja Vetëvendosje të fshihet për marrëveshjet e bëra me Listën Serbe.

“Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se mund të shkojmë me votim të fshehtë, ne do të votojmë, por ashtu siç ka deklaruar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Vota për kryetar të Kuvendit do të jetë publike para mediave, pasi s’do të pranojmë që të fshihen pas deputetëve të LDK-ë për marrëveshjet që Vetëvendosje i ka bërë me partitë e tjera”, ka thënë Guri.

Sipas tij, ky lloj publikimi i votës nuk është shkelje e ligjit, teksa tha se një gjë të tillë e kanë bërë edhe në vitin 2021 kur është zgjedhur presidentja Vjosa Osmani.

“...LDK-ja i ka bërë publike votat edhe në 2021-n, por i kanë konvenuar atëherë Vetëvendosjes votat e LDK-së, e tash kur s’i konvenon thonë se është shkelje. Ky është keqkuptim pasi disa deputetë të VV-së po i referohen ligjit për fotografim të votës, që ka të bëjë me fotografimin e votës në kutinë e votimit...Ai ligj s’e parasheh publikimin e votës, pasi deputetët s’i nënshtrohen asnjë lloj detyrimi për votën e tyre”, ka thënë ai.

Guri ka shtuar se do ta publikojë votën e tij nëse do të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë, “pasi s’do të ndihesha i qetë që parti në pushtet të fshihet dhe të krijojë hipoteza nëse kanë arritur marrëveshje”.

Ai foli për dakordimet e Lëvizjes Vetëvendosje me deputetët e Listës Serbe, që siç tha ai, kanë dalë në seancën e parë konstitutive nëpërmjet bisedave mes dy partive.

“Në asnjë mënyrë nuk do ta pranoja që pas votës sime t’i fsheh marrëveshjet që i kanë bërë me Listën Serbe...S’do t’i fotografojmë votat në kuptimin klasik dhe t’ia dëshmojmë dikujt se s’kemi votuar, por ne jemi në sallën e Kuvendit dhe fletën e votimit për kandidatin do ta plotësojmë në bankën ku jemi aty. S’është fotografim klasik, nëse duan mediat ta shohin do të jemi transparent”, ka thënë Guri.