Arbëri

Hajdari: Lladrovci nuk u kthye në zyrat e PDK-së, por në pronën e familjarit

Petrit Hajdari & Ramiz Lladrovci

Kandidat për kryetar të Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Petrit Hajdari, ka thënë se Ramiz Lladrovci, kryetari aktual që fitoi edhe një mandat pa balotazh, nuk është kthyer në zyrat e partisë por në pronën private të një familjari.

Gjatë ditës së djeshme, Lladrovci simbolikisht hapi zyrat e vjetra të PDK-së në Drenas, duke thënë se synon rikthimin në parti.

Por Hajdari u shpreh se ato zyre nuk janë të PDK-së.

“Nuk është ‘kthyer’ Lladrovci në zyrat e PDK-së sepse zyrat e PDK-së nuk janë aty. Ai lokal është pronë private e familjarit të vet. Atë ambient ai mund ta përdor për subjektin e vet politik e nëse do mund ta inkorporojë edhe Vetëvendosjen që i ndihmoi në zgjedhje, por ato zyre veç të PDK-së nuk janë”, ka shkruar ai në Facebook.

Hajdari tutje u shpreh se PDK-ja në Drenas do të qëndrojë në opozitë, pavarësisht pretendimeve të Lladrovcit se do të kthehet sërish në parti. Sipas tij, kryetari aktual nuk është PDK.

“Kemi qenë në proces zgjedhor, të cilin nuk e kemi fituar dhe gjithmonë e respektojmë verdiktin e qytetarit. PDK sot në Drenas është në opozitë. Kaq e thjeshtë është. Tjerat janë manipulim i pastër. PDK ka qenë e sinqertë prej fillimit me qytetarin. Ai nuk është PDK. Këtë nuk e ndërron rezultati zgjedhor. Ne kemi garuar për kryetar komune, jo për degën e PDK-së”, ka shkruar tutje Hajdari.

Në fund, Hajdari bëri thirrje që Lladrovci të mos viktimizohet, por të fillojë punën pasi fitoi mandatin e ri.

Lladrovci në dy mandate e fitoi Drenasin nën logon e PDK-së. Por në zgjedhjet e 12 tetorit, PDK-ja vendosi të garonte me Petrit Hajdarin, ndërsa Lladrovci krijoi iniciativën e vet – me të cilën fitoi pa balotazh.