Arbëri

Haliti: Një numër i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ishin rreth 7 vjeç, por u refuzohet statusi

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka njoftuar se një numër i madh i aplikuesve për t’iu njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës kanë qenë fëmijë në vitet ’98-99.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, ajo ka thënë se edhe pse disa prej tyre kanë qenë në moshën 7 e 8-vjeçare gjatë kohës së luftës, disa prej tyre refuzohen me arsyetimin se do të duhej të aplikonin më parë.

Ajo ka konsideruar se me këtë rast, këta të mbijetuar paragjykohen. 

“Kemi një numër të madh të aplikuesve që kanë qenë fëmijë kur e kanë përjetuar dhunën seksuale, kanë qenë nën 18 vjet. Ne e kemi një grup të përbërë edhe prej 7-vjeçarëve, 9-vjeçarëve që e kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës dhe tani janë 35, 37 apo 38-vjeç që kanë krijuar familje dhe paraqiten për të aplikuar. Janë zakonisht raste të tilla që refuzohen, pasi sipas komisionit, është dashur më herët të regjistrohen e jo tani, dhe rastet e tilla mund të them që paragjykohen”, ka thënë ajo. 

Haliti tutje ka thënë se deri më tani qendra të cilën e përfaqëson ajo i ka raportuar mbi 50 raste në hetuesi dhe Prokurori Speciale, përfshirë rastin ndaj Zoran Vukotiqit, për të cilin është marrë aktgjykim lirues.

“Viteve të fundit kemi pasur si prioritet qasjen në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Deri më tani qendra jonë mbi 50 raste i ka raportuar në hetuesi dhe Prokurori Speciale. Po trajtohen këto raste dhe po grumbullohen fakte, kemi diku rreth 10 apo 13 aktakuza që janë ngritur. Gjatë këtyre muajve kemi pasur tri raste duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, një rast fatkeqësisht ndaj Zoran Vukotiqit është marrë aktgjykim lirues. Nga trupi gjykues thuhet se është vërtetuar që e mbijetuara e ka përjetuar dhunën siç e ka përshkruar dhe siç i ka dhënë provat dhe dëshmitë e saj, por nuk është dëshmuar me prova që kryerësi ka qenë Zoran Vukotiq. Kjo për ne ka qenë pak e pakuptueshme”, ka deklaruar ajo.