Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit kandidat për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza ka njoftuar për një vizitë që e ka zhvilluar në Hagë te ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen paraburgim.
Hamza deklaroi se i gjeti mirë me shëndet e plot entuziazëm për t’u kthyer në Kosovë, ndërsa ka thënë se iu premtoi që do t’i gëzojë më 28 dhjetor.
“I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu. Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare. Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi. Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!”, shkroi në faqen e tij në Facebook, Hamza.
Më 28 dhjetor, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale.
Në Hagë po mbahen tash e pesë vjet dy ish-kryetarë të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ata dhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po akuzohen për krime lufte.