Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, ka thënë se për situatën kaotike lidhur me daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik kanë gisht institucionet publike, odat e bizneseve e edhe vetë bizneset.
KEDS-i ka nisur të shtunën shkyçjen nga rrjeti për rreth 450 kompani që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji. Veprimi ka nxitur reagime te shumë biznese. Përfaqësues të Odës Ekonomike dhe shoqatave të tjera paralajmëruan pasoja të rënda, si humbja e mbi 20 mijë vendeve të punës, mbyllja e aktiviteteve biznesore e rritja e çmimeve.
Në një shkrim në Facebook, Hasaj ka thënë se disa institucione e disa oda biznesesh nuk i kanë përkrahur mjaftueshëm dhe me kohë bizneset që të krijojnë kontakte me furnizuesit e rrymës.
“Qeveria ka lejuar që edhe ndërmarrjet publike të shesin rrymë tek bizneset me marzha të larta fitimi qysh në këtë fazë si dhe nuk ka ofruar incentiva serioze për investime në efiçiencë e vetkonsum; disa të tjerë ua kanë rritë shpresat bizneseve që gjykatat do ta anulojnë vendimin e ZRRE; si dhe vetë bizneset nuk janë përgatitë me kohë, duke lidhë kontrata me furnizuesit (edhe vite) më herët dhe investuar në kapacitete për vetkonsum”, ka shkruar ai.
Hasaj ka thënë se shkyçja e përnjëhershme e shumë bizneseve nga furnizimi me rrymë duhet të jetë shqetësim për Qeverinë dhe se ajo duhet të krijojë një ekip që do të monitoronte situatën e t’u ndihmonte bizneseve në proces.
“Qeveria e din se motorri i ekonomisë sonë është sektori privat, andaj nuk guxon ta pozicionojë vetën si palë jashtë këtij procesi, duke i observuar zhvillimet nga larg”, ka shkruar ai.
E sipas Hasajt, ka edhe biznese që qahen edhe pse nëse u shihen të hyrat e shpenzimet vjetore del se rryma nuk ua rrezikon fitimet e lëre më dështimin e biznesit.
“Për shembull, njëri nga pronarët që po tenton t'i prijë kësaj retorikës së mbylljes së bizneseve për shkak të rritjes së kostos së energjisë (përfshi të tijit), nga tri biznese të mëdha që kishte, sipas të dhënave publike ai realizon fitime neto nga to rreth 15 milionë euro në vit, ku shpenzimet totale komunale (rrymë, ujë, etj) për të trija ato deri në vitin 2024 nuk arrinin as në 150 mijë euro në vit. Pronari tjetër i biznesit, që bashkë me stafin e tij e ke si me rotacion në ballë të debateve televizive rreth kësaj teme, në pasqyrat financiare koston vjetore të energjisë elektrike e paraqet rreth 10 mijë euro, kurse kur flet për media thotë se kjo kosto u shkon në rreth gjysmë milion euro në vit! E një pronar tjetër biznesi që po ashtu po ankohet që disa herë publikisht se fatura e energjisë elektrike do t'i shkojë në 1 milion euro në vit, i kishte qarkullim vjetor rreth 81 milionë euro dhe fitim neto në vit plot 18 milionë euro”, ka shkruar ai.
Ndërkaq sipas Hasajt është edhe një grup tjetër. Sipas tij, këtu hyjnë ata që dëmtohen më shumë, por që nuk u dëgjohet zëri e as nuk marrin vëmendjen dhe përkrahjen e askujt.
“E më e keqja është që ata që vërtetë do të dëmtohen më shumë - sepse ende nuk kanë arritë me e ngritë biznesin në një nivel fitimprurës e që u bën ballë shpenzimeve më të larta sesa ato të planifikuara, ndonëse punësojnë shumë persona e janë tejet të rëndësishëm për ekonominë - duke mos u dëgjuar zëri, nuk e marrin vëmendjen e as përkrahjen e askujt. Personalisht nuk i di as pesë biznese që vërtetë rrezikojnë të mbyllen, largojnë shumë staf nga puna apo që për shkak të rritjes së faturës së rrymës do të punojnë me humbje. Sepse zëri i tyre nuk është dëgju mjaftueshëm”, ka përfunduar ai.
KEDS-i ka bërë të ditur se mëngjesin e së shtunës se ka filluar shkyçjen e mbi 1.400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.