Nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet e Kosovës, njoftimet që prokurorët serbë kanë bërë për t’i tërhequr dorëheqjet e deklaruara në fund të 2022-tës. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka dekretuar lirimin e tyre nga detyra dhe ka theksuar se askush nuk mund ta pengojë funksionimin e institucioneve apo të krijojë pasiguri juridike
Augustin Palokaj e Ilirjana Thaqi
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në fund të 2022-s.
Vendimi i saj është marrë një ditë pasi Këshilli Prokurorial ka refuzuar kërkesën e tyre për t’i tërhequr dorëheqjet e gati katër vjetëve më parë.
Haxhiu ka bërë të ditur se nëpërmjet dekretit përmbyllet procesi i dorëheqjeve i prokurorëve, dhe ka theksuar se askush nuk mund të pengojë funksionimin e institucioneve apo të krijojë pasiguri juridike.
“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka thënë Haxhiu.
Edhe
Haxhiu dekreton dorëheqjet e prokurorëve serbë, zyrtarisht nuk ka rikthim
E pak orë pas vendimit të Haxhiu, ka reaguar Bashkimi Evropian.
Përmes një deklarate nga zëdhënësja në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqjen e personelit serbë. Po ashtu BE-ja ka shprehur shqetësimin edhe për dekretimin e këtij vendimi nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu. Këto vendime BE-ja i ka quajtur në shpërputhje me ligjin.
“Sipas Kushtetutës së saj, Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj gjyqësor duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës. BE në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet nga dialogu”, thuhet në deklaratë. “BE-ja mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura më 15 korrik 2026 nga ana e gjykatësve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë të Kosovës. BE është e shqetësuar me vendimin e djeshëm të Këshillit Porkurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të ushtrueses së detyrës së presidentes për të dekretuar këto dorëheqje. Kjo duket të mos jetë në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë”.
Në fund të deklaratës, thuhet se “BE-ja i fton të gjitha institucionet relevante të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serbë të Kosovës”.
Në fakt, serbët nuk i kanë tërhequr dorëheqjet, por kanë bërë kërkesë për këtë, pasi kjo është kompetencë e KPK-së.
E ndryshe nga KPK-ja, e cila ka refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve serbë që kishin kërkuar rikthimin në detyrë, Këshilli Gjyqësor ende nuk ka marrë ndonjë vendim për gjyqtarët që kanë kërkuar t’i tërheqin dorëheqjet.
Në KGJK nuk kanë treguar se kur do të ndodhë vendimmarrja.
“KGJK-ja do t’i trajtojë me kujdes këto njoftime, ndërsa opinioni publik do të njoftohet për vendimin e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Edhe
BE-ja e shqetësuar për dekretin e Haxhiut për dorëheqjet e personelit gjyqësor serbë
Dorëheqjet në fund të 2022-s ndodhën pas shkarkimit të komandantit të policisë në veri, i cili pati refuzuar të zbatojë vendimin e qeverisë me të cilin u ndalua qarkullimi i automjeteve me targa ilegale serbe. Atëkohë, dorëheqje patën dhënë edhe kryetarët e 4 komunave të veriut dhe pjesëtarët e administratës.
Ndonëse ata u janë nënshtruar zgjedhjeve për t’u rikthyer në pozita, policëve u janë shkëputur kontratat, Këshilli Gjyqësor ende nuk ka vendosur për dorëheqjet e gjyqtarëve kurse ai Prokurorial vendimin e mori tek pas kërkesës që prokurorët bënë për rikthim.