Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se të premten do ta caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës.
E kjo datë, sipas saj, do të jetë në javën e parë të gushtit.
“Ajo do të bëhet në javën e parë të muajit gusht, edhe të premten, besoj, do ta bëj një njoftimin se kur saktësisht do të mbahet kjo seancë”, ka thënë Haxhiu në orët e vona të së martës në Prizren.
Ajo bëri me dije se nuk është nxituar të caktojë seancën me arsyetim që partitë të kenë mjaftë kohë për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.
“Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes zotit Albin Kurti. Siç e dini i ka pas dy takime, njëra me PDK- në, tjetra me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të vijim dhe arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit”, ka shtuar ajo.
Ajo mohoi të ketë pasur ndonjë marrëveshje mes Kurtit e kryetarit të LDK-së, Lumir Abxhixhiku, për formim të institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit.
Edhe
Konstituimi i përbërjes së institucioneve të reja nuk do të ndodhë brenda muajit korrik
“Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje sigurisht që të të bënim publike. Në takim ka qenë kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave z. Murati, dhe në anën tjetër Abdixhiku dhe Osmani Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do ta ndjekim përpara, por jo marrëveshje”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka kohë deri më 7 gusht ta thërrasë seancën konstituive. /KP