Profesori i së drejtës në Universitetin e Prishtinës, Flamur Hyseni, ka thënë se nuk mund të konsiderohet i bllokuar konstituimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një prej nënkryetarëve, që vjen nga radhët e komunitetit joshumicë.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Hyseni ka thënë se nuk duhet t’i jepet fuqi kaq e madhe politike dhe institucionale një grupi politik si Lista Serbe.
“Kushtetuta është e qartë, nuk mund të konsiderohet i bllokuar konstituimi i Kuvendit pse nuk është zgjedhur një nga pesë nënkryetarët. Konstituimi nuk mund të konsiderohet i pabërë nëse një prej nënkryetarëve nuk është zgjedhur. Shteti i Kosovës nuk përbëhet nga fragmentime dhe nuk do të duhej të tentohej që të bëhet fragmentimi i tillë dhe t’i jepet fuqi kaq e madhe politike dhe institucionale një komuniteti, grupi politik siç është Lista Serbe në Kuvend”, ka thënë ai.
I pyetur për mundësinë e dhënies së të drejtës për Listën Serbe që të vendosë për komunitetin serb si shumicë brenda Kuvendit, ai ka thënë se do të ishte veprim antishtetëror.
“Po që se këtë gabim mund ta bënte Gjykata Kushtetuese për çka besoj se nuk do ta bëjë, kjo do të ishte veprim antishtetëror, antikushtetues dhe do të ishte veprim shumë i rrezikshëm për shtetin e Kosovës”, ka theksuar Hyseni.
Zgjidhjen përmes Kushtetueses, Hyseni e sheh m anë të një përgjigje të njëjtë sikurse për kryekuvendarin.
“Pres një përgjigje të njëjtë nga Kushtetuesja sikurse për kryetarin, edhe për nënkryetarin nga komuniteti joshumicë, që tri herë të provohet me një kandidat dhe mund të vijmë në atë situatën që nëntë deputetët e Listës Serbe të provohen secili nga tre herë”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se Kryesia e Kuvendit mund të funksionojë në momentin që ka shumicën për vendimmarrje, por sipas tij, kjo shumicë në këtë rast nuk po mundësohet nga vetë VV-ja, PDK-ja e LDK-ja.
“Këtu nuk është problemi diku tjetër, por se këta nuk kanë dakordancë dhe nuk janë marrë vesh politikisht për ta funksionalizuar kryesinë”, ka deklaruar ai.