Si një dritare për të çuar përpara projektet filmike ishte cilësuar qysh me edicionin e parë vitin e kaluar, e tash Forumi i Filmit të Shkurtër në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” vjen me edicionin e dytë duke zgjeruar gjeografinë. Janë dhjetë projekte që vijnë nga Kosova, dy nga Shqipëria e po aq nga Bullgaria dhe nga një nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. "Morëm 48 aplikime dhe niveli ishte i lartë në të gjitha aspektet. Ajo që e bën veçanërisht interesante përzgjedhjen finale nuk është vetëm cilësia e projekteve, por edhe shumëllojshmëria e zërave, vendeve, formave dhe temave që ato sjellin”, ka thënë bashkëdrejtuesi i Forumit, Eroll Bilibani
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, kur i kanë mbetur edhe 36 ditë deri te hapja e edicionit me të cilin shënon çerekshekullin, ka nisur të shpalosë pak nga mozaiku i tij. E ka nisur me atë të Forumit të Filmit të Shkurtër, i cili qysh vitin e kaluar, kur debutoi me të parin edicion, u bë një shtyllë e fuqishme në promovimin e talenteve të reja në fushën e filmit të shkurtër në rajon, duke ofruar mentorim profesional, mundësi bashkëpunimi dhe prezantimi para industrisë. Për këtë vit, janë përzgjedhur dhjetë projekte filmike. Gjeografia e tyre përfshin katër projekte nga Kosova, dy nga Shqipëria e po aq nga Bullgaria dhe nga një nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Do të prezantohen në kuadër të “DokuFestit” prej 9 deri më 12 gusht. Detajet e përzgjedhjes janë bërë publike të enjten nëpërmjet një komunikate për media.
“Përzgjedhja vjen pas një thirrjeje të hapur të fortë dhe konkurruese, ku morën pjesë 48 aplikime nga pesë shtetet pjesëmarrëse. Dhjetë projektet finale përfaqësojnë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bullgarinë, duke sjellë së bashku një përzierje projektesh artistike, dokumentarë, hibridë dhe animacioni, në faza të ndryshme të zhvillimit dhe prodhimit”, shkruhet në komunikatë, ku shkruhet se programi përfshin katër filma artistikë, tri projekte hibride, dy dokumentarë dhe një film të animuar. “Gjysma e projekteve të përzgjedhura janë aktualisht në fazën e zhvillimit, ndërsa të tjerat ndodhen në para-produksion, produksion ose post-produksion”, shkruhet aty. Bashkëdrejtuesi i Forumit, Eroll Bilibani, citohet të ketë thënë se "Komisioni përzgjedhës nuk e pati aspak të lehtë këtë vit”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Morëm 48 aplikime dhe niveli ishte i lartë në të gjitha aspektet. Ajo që e bën veçanërisht interesante përzgjedhjen finale nuk është vetëm cilësia e projekteve, por edhe shumëllojshmëria e zërave, vendeve, formave dhe temave që ato sjellin. Këto dhjetë projekte tregojnë sa shumë energji ekziston rreth filmit të shkurtër në rajon. Gjatë festivalit do të shpallim gjithashtu një zgjerim të ri gjeografik të Forumit, që përbën një hap të rëndësishëm përpara për ne", ka thënë ai.
Përpara mbërritjes në Prizren, ekipet e përzgjedhura do të marrin pjesë në dy takime përgatitore online më 28 dhe 30 korrik, të udhëhequra nga mentori kryesor i Forumit, Martijn te Pas nga “euROPE doconsultancy”. Sipas komunikatës këto sesione do të prezantojnë strukturën e Forumit, do t’i ndihmojnë ekipet të përgatisin prezantimet e projekteve të tyre dhe do të ofrojnë komentet e para mbi qartësinë e prezantimit, nevojat e projekteve dhe mënyrën e komunikimit.
“Programi do të nisë më 9 gusht në Prizren. Gjatë ditëve në vijim, kineastët e përzgjedhur do të marrin pjesë në sesione trajnimi në grup dhe individuale, përgatitje të projekteve, diskutime artistike dhe profesionale, strategji takimesh, sesione të mbyllura me qendra kinematografike dhe financues, si dhe në një ‘DokuTalk’ publik mbi mënyrën se si filmat e shkurtër qarkullojnë përmes komunikimit, bashkëprodhimit dhe rrjeteve të industrisë”, shkruhet në komunikatë. Pas këtij procesi trajnues, projektet e përzgjedhura do të prezantohen në sesionin publik të pitching-ut më 12 gusht.
“Forumi do të ndajë disa çmime financiare dhe profesionale, të mundësuara përmes partneriteteve të tij dhe mbështetjes së Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Këtë vit, shteti në fokus i Short Film Forum është Italia, falë partneritetit me Italian Short Film Center dhe ShorTO Film Market. Programi do të prezantojë më të mirat e filmit të shkurtër italian në një treg rajonal në rritje, duke nxitur bashkëprodhimet ndërkombëtare dhe duke u ofruar talenteve të reja italiane qasje në një rrjet të përqendruar vendimmarrësish ndërkombëtarë. Në një kontekst më pak të ngopur sesa shumë tregje evropiane, Forumi krijon hapësirë për shkëmbime më të drejtpërdrejta, takime praktike dhe partneritete të reja”, shkruhet në komunikatë.
Kosova në Forum, përfaqësohet me projektin për dokumentar “Për kë bien këmbanat?” nën regji të Erlisë Beqirit, “bitwixt" / "n'midis” i zhanrit hibrit nën regji të Dita Xhaferit, projekti për animacion “Cicë!” nën regji të Finesa Pejës dhe “Pantallonat e Mia Janë Pantallonat Tuaja” nën regji të Durim Klaiqit. “Korridoret e pritjes” nën regji të Adrian Gurit dhe “Silent Return” i Dionis Priftit janë projektet që vijnë nga Shqipëria e nga Maqedonia e Veriut vjen projekti i Hanis Bagashov, “Karkeleca”. Që të tre i takojnë zhanrit të filmit artistik. Nga Mali i Zi vjen “Kroz zube Ane i njene mame” nën regji të Gjorgje Petroviq e nga Bullgaria në Forum vjen “Les fissures”, projekt për dokumentar nga Gogo Vanev dhe “The celebration of letters” i zhanrit hibrit nën regji të Ilina Perianovas.
Vitin e kaluar kur u përzgjodhën tetë projekte nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u ndanë shtatë çmime. Kur u prezantua vitin e kaluar, Forumi u cilësua si platformë e dedikuar për filmbërës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Pra në shtetet që Kosova ka marrëveshje bilaterale për bashkëprodhim, duke iu ofruar atyre mundësi për të propozuar projektet e tyre filmike dhe mundësinë për të bashkëprodhuar. Pra kultura e bashkëprodhimit të filmave të gjatë të jetë edhe për bashkëprodhim të filmave të shkurtër. Filmat e shkurtër në rajon kryesisht financohen vetëm nga një burim, që janë fondet e filmit”, kishte thënë Bilibani asokohe. Kishte treguar se nëpërmjet Forumit synojnë të ofrojnë mundësi që kineastët të mund t’i prezantojnë projektet e tyre, të marrin këshilla nga profesionistë të filmit, të krijojnë lidhje të reja dhe të gjejnë edhe burime të tjera për financimin e filmave të tyre.