“Gjithkush Kadarenë e vet”, është quajtur aktiviteti përkujtimor në dyvjetorin e vdekjes së shkrimtarit më të shquar shqiptar, organizuar të mërkurën nga Fakulteti i Historisë e i Filologjisë i Universitetit të Tiranës. Në nderim të veprës kadareane dhe autorit të saj, me propozim të Fakultetit dhe me vendim të Senatit të UT-së, bibliotekës së këtij fakulteti iu vu emri “Ismail Kadare”.
“Kjo bibliotekë është hapësira që e përfaqëson denjësisht kujtimin e tij në mjediset ku ai ka qenë student, pedagog, e njëkohësisht një prej autorëve më të lexuar në fondet bibliotekare. Në prani të familjarëve, të pedagogëve të fakulteteve të ndryshme si dhe të senatorëve të UT-së, me pjesëmarrjen aktive të të ftuarve të shumtë shkrimtarë, botues, kritikë e personalitete të kulturës e letërsisë, u pohua gjurma e pashlyeshme që ka lënë në leximet tona shkrimi mjeshtëror i tij, një prag estetik për letërsinë shqipe e njëkohësisht përftim i një përmase universale të saj në botë”, ka shkruar Fakulteti i Historisë e i Filologjisë, duke shtuar se ceremonia ishte konceptuar si një ritakim me autorin. “Aktiviteti bashkoi përvojat personale të leximeve me vlerësimet kritike më të larta, ndërthuri emocionet, mallin dhe mendimin kritik si mënyra e duhur për ta kujtuar Ismail Kadarenë”, shkruhet në njoftim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këto korridore janë vendi ku unë kam studiuar, ashtu sikurse Kadare. Gjithçka është shumë bukur, lum ata që do të vijnë në këtë bibliotekë kaq të pasur që do ta mbajë emrin e Kadaresë që për fat të mirë, rinia e nderon”, citohet të ketë thënë Helena Kadare.
Studiuesi Mark Marku ka thënë se “nuk mund të kishte një emër më të denjë për hapësirën ku studentët dhe pedagogët zhvillojnë dijen dhe zhvillojnë mendimin kritik”.
E bija e Ismail Kadaresë, Gresa Kadare, ka thënë se i pëlqen të mendojë se “Ismaili bashkë me personazhet e tij, hera-herës shëtit dhe endet në këtë bibliotekë, në raftet e saj”. “Sikurse e mbaj mend të vërtitej ndër vite në bibliotekën e Rrugës së Dibrës apo në bibliotekën që frekuentonte në Paris”, citohet të ketë thënë ajo.
Në këtë ditë përkujtimore, u botuan tri krijime të Kadaresë, që nuk janë botuar më parë si libër më vete. “E bëra me qëllim që lexuesi t’i lexojë këta libra. Një libër i palexuar është një libër i ri”, ka thënë botuesi e tij, Bujar Hudhri duke shtuar se ky është një akt mirënjohjeje ndaj një autori që i dha letërsisë shqipe përmasë botërore, po edhe një përgjegjësi ndaj lexuesve që vazhdojnë ta lexojnë dhe ta rizbulojnë Kadarenë.
Ismail Kadare, vdiq më 1 korrik të vitit 2024 në moshën 88-vjeçare. I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Kadare do të kalonte kufijtë e Shqipërisë së izoluar. Këtë do ta bënte në vitet ’70, kur veprat e tij të përkthyera nga Jusuf Vrioni do të bëheshin pjesë e letërsisë elitare në Francë e në botë. Falë prozës së Kadaresë të përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të botës, letërsia shqipe arriti majat. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.