Arbëri

Identifikohen mbetjet mortore të një personi të zhdukur gjatë luftës

Kufomat e mijëra civilëve të vrarë gjatë luftës janë marrë nga forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve dhe janë dërguar në vende të panjohura. Shumë janë gjetur në varreza masive në Serbi, por ende rezultojnë mbi 1.500 persona të zhdukur

Janë identifikuar mbetjet mortore të Rasim Kocit nga Gjakova, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë. 

Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka njoftuar se mbetjet mortore janë gjetur para disa vjetësh, por tek tash janë identifikuar përmes analizave gjenetike. 

“Mbetjet mortore janë gjetur vite më parë në bregun e lumit Drini i Bardhë, në afërsi të Krushës së Vogël. Identifikimi i Rasim Kocit, viktimë e luftës që ishte në listën e personave të zhdukur, është bërë i mundur së fundmi, përmes analizës shkencore të ADN-së, si rezultat i 'procesit të rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve mortore që gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)'”, ka thënë Gara.

Familjarë të Rasim Kocit, përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se ai ishte arrestuar në prill të vitit 1999 nga forcat serbe.

“Pas 26 vjetësh e 10 muajsh pritjeje është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Kocit (i lindur më 1957), i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë, gjatë luftës në Kosovë. Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur. Pas rreth 27 vjetësh ankthi dhe pasigurie, mbetjet mortore të tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar 2026”, ka thënë Ramë Koci, familjar.

Homazhet për Rasim Kocin, siç ka njoftuar familja, do të mbahen më 31 janar në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet po atë ditë nga ora 13:30 në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat të kësaj komune.

Kufomat e mijëra civilëve të vrarë gjatë luftës janë marrë nga forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve dhe janë dërguar në vende të panjohura.

Shumë janë gjetur në varreza masive në Serbi, por ende rezultojnë mbi 1.500 persona të zhdukur.