Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për zbutje të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin me burg ndaj tij, raporton “Euronews Albana”.
Edhe pse SPAK i komunikoi mbylljen e hetimeve dhe çështja do të shkojë në gjykim, presidenti i Partisë së Lirisë do të vazhdojë të qëndrojë në burg deri në një vendim të ri, pasi gjyqtari Erjon Çela la në fuqi masën e arrestit ndaj tij.
Avokati Kujtim Cakrani braktisi seancën me argumentin se gjyqtari nuk është i pavarur.
Meta kishte kërkuar të lirohej nga qelia me argumentin që tashmë hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ai u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
Njoftimi i GJKKO
“Kërkuesi/i pandehuri Ilir Metaj me datë 06.08.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit personal të “arrestit në burg”.
Ai është i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 546, datë 13.08.2025, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj.
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.