Sipas vlerësimeve të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike.
Në tryezën e diskutimit në kuadër të projektit "Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar INDEP-i drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Burim Ejupi, tha se Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të tarifave të rrymës. Siç tha ai nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007.
Përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi tha se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.
Ndërkaq, në kuadër të panelit të diskutimit me temën “Komunitetet e Energjisë për Zbutje të Varfërisë dhe Tranzicion Gjithëpërfshirës”, Besiana Qorraj Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.
Ajo potencoi se Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 përfshin ndër objektivat kyç promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Ekspertja për Zhvillim të Kapaciteteve, Lindita Daija, tha se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar. Megjithatë, sipas saj, mbetet ende punë për t’u bërë në legjislacionin sekondar, veçanërisht sa i përket organizimit të komiteteve dhe përcaktimit të hapave më konkretë për mënyrën se si duhet të zhvillohet ky organizim.
Ndërkaq, Ekspertja e Burimeve të Energjisë, Zanfina Kabashi, u shpreh se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripertëritshme.
Në raportin e publikuar nga INDEP me temën “Komunitetet e Energjisë dhe Varfërua Energjetike në Kosovë” thuhet se Kosova ndodhet në një moment kritik, pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten në letër.
Në këtë raport paraqiten disa rekomandime, ndër to që Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të themelojnë brenda gjashtë muajve një grup të përbashkët pune, i cili do të ketë për detyrë plotësimin e bazës ligjore për komunitetet e energjisë. Ky proces nuk kufizohet vetëm në miratimin e akteve nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe nga rregulloret e ZRRE-së për skemat mbështetëse, por përfshin edhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese.
Përveç kësaj, rekomandimi tjetër është që Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me institucionet tjera duhet të miratojë brenda 12 muajve një Program Kombëtar për Decentralizimin e Prodhimit të Energjisë, ku komunitetet e energjisë të kenë rol qendror. Ky program duhet të nisë nga komunitetet më të cenueshme nga tranzicioni energjetik dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, duke e bërë parimin “mos lini askënd pas” kriter udhëheqës.
Po ashtu, në raport thuhet se ZRRE dhe KOSTT duhet të publikojnë brenda 18 muajve një hartë kombëtare që përfshin: kapacitetet e rrjetit (LV/MV), afërsinë me nënstacione, pikat e ngarkesës, kufizimet teknike dhe shpërndarjen territoriale të varfërisë energjetike.
Rekomandimet përfshijnë edhe vendosjen e objektivave kombëtare (deri në fund të vitit 2026) si dhe ndërmarrjen e një fushate vetëdijesimi ku përfshirja e shkollave teknike të jetë prioritet për edukimin e brezit të ri./KP