Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka deklaruar se zyrtarët policorë kanë një udhëzues në kuadër të Policisë që të mos e shfrytëzojnë territorin serb si vend tranzit për lëvizje në shtete të tjera të Evropës.
Duke folur për ndalimin e ish-zyrtarit policor nga Serbia, Arbnor Spahiu, Maliqi beson se do të lirohet, pasi tha se ai është ndaluar për çështjen e sulmit në Banjskë, derisa shtoi se Spahiu e kishte braktisur institucionin e Policisë në nëntorin e 2021-s.
“Ekziston një udhëzues në kuadër të Policisë që zyrtarët policorë të mos e përdorin Serbinë si vend tranzit për lëvizje në shtete të tjera të Evropës...Më 1 nëntor 2021 ai e ka lëshuar Policinë dhe rasti i tij s’mundet të lidhet me 24 shtatorin e 2023-s, por Serbia e shfrytëzon këtë kur i identifikon kolegët tanë, që t’i ndalojë, t’i intervistojë dhe të bëjë një rast kur fare nuk ekziston. Besoj se shpejt institucionet e drejtësisë atje do ta lirojnë sa më parë”, ka thënë ai të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas Maliqit, udhëzuesi për policët nuk është obligativ, por tha se është mirë t’i përmbahen për të mos pasur telashe të njëjta.
Duke folur për zhvillimet në veri, Maliqi ka deklaruar se është koha që dalëngadalë Policia e Kosovës të nisë uljen e prezencës policore atje.
“Besoj se është mirë që të nisë të zvogëlohet numri i zyrtarëve dhe të shikohet për një kohë. Nëse kemi gjendje të mirë dhe stabile, të vazhdohet, por nëse kemi situatë të tensionuar, të rikthehet në çdo moment, kur duhet të rivendoset rendi dhe kontrolli atje”, ka thënë Maliqi.
Ish-drejtori i Policisë ka theksuar se qytetarët serbë në komunat veriore sot ndihen më të lirë, pasi tha se është ndërprerë në masë të madhe edhe kontrabanda.
“S’mund të themi që në minimum, por shumë më pak ka mallra të kontrabanduara dhe persona që sot shkojnë dhe i blejnë me çmime të lira dhe afate të skaduara”, ka thënë ai.
Sipas Maliqit, zyrtarët policorë në asnjë rast s’e kanë tejkaluar përdorimin e forcës apo të armës së zjarrit ndaj qytetarëve në veri, duke shtuar se raste të tilla raportohen te niveli qendror dhe trajtohen.