KEDS-i ka nisur shkyçjen nga rrjeti për rreth 450 kompani që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji. Veprimi ka nxitur reagime te shumë biznese. Përfaqësues të Odës Ekonomike dhe shoqatave të tjera paralajmëruan pasoja të rënda, si humbja e mbi 20 mijë vendeve të punës, mbyllja e aktiviteteve biznesore e rritja e çmimeve
Zyrtarë të KEDS-it, të shoqëruar nga Policia, mëngjesin e së shtunës kanë nisur shkyçjen nga rrjeti energjetik të rreth 450 bizneseve që janë obliguar të dalin në treg të hapur të energjisë.
Këto biznese nuk kanë arritur që të lidhin marrëveshje me një furnizues të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk kanë përfillur thirrjet e vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Në mesin e atyre që iu ndërpre rryma janë edhe dy kompani të biznesmenit Hamdi Malushi, për çka ai ka reaguar publikisht në rrjetet sociale.
“Na shkëputën nga energjia elektrike, duke nxjerrë punëtorët tanë në rrugë. Këto veprime na rikujtojnë vendimet e padrejta të viteve ’90-ta kur i forti vendoste mbi kurrizin e të dobëtit. Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, bizneseve dhe familjeve tona”, ka thënë Malushi.
Ndaj veprimeve për shkyçje nga rrjeti energjetik kanë reaguar përfaqësues të bizneseve, duke thënë se kjo rrezikon largim nga puna të mbi 20 mijë punëtorëve dhe rrit çmimet e konsumit.
Në një reagim të Odës Ekonomike është thënë se janë pranuar ankesa të shumta nga bizneset se zyrtarë të KEDS-it i kanë shkyçur edhe biznese që një ditë më parë kanë lidhur kontrata për furnizim.
“Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike i ka bërë thirrje ZRRE-së që të ndalojë këto veprime dhe t’i kthehet dialogut.
Edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve ka publikuar një video, në të cilën përfaqësuesi i bizneseve kundërshton shkyçjen, duke thënë se ka kontrata për furnizim të nënshkruar një ditë më parë.
Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në reagimin e saj ka përmendur pasojat që mund të shkaktohen nga zbatimi i vendimit.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm po rrit çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të së paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, thuhet në reagimin e kësaj Ode.
Edhe Shoqatës së prodhuesve ka listuar pasoja, më e rënda nga të cilat mbyllja e aktivitetit biznesor.
“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
ZRRE-ja më 13 gusht u ka bërë thirrje kompanive që të nënshkruajnë kontrata, pasi në të kundërtën nga 16 gushti do t’u ndërpritet energjia.
Ky njoftim u bë pas vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, që vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të hapur të rreth 1300 bizneseve.
Baza ligjore për këtë politikë ka hyrë në fuqi vite më parë, kur në pushtet ka qenë PDK-ja dhe LDK-ja. Por, përfaqësues të të dyja partive, kanë kundërshtuar shkyçjen e bizneseve të dala në treg të lirë të cilat nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim.
Drejtuesit e tyre akuzuan qeverinë në detyrë për dëmtim të ekonomisë dhe kapje për të institucioneve.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media e ka quajtur “masakër” atë që është vepruar me bizneset e mëdha.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucionet si ZRRE-ja dhe të tjerat që kjo politikë të mos kalojë dhe të mos mbetet e pa ndëshkuar. Qytetarët duhet ta dinë se po paguajnë për mafinë energjetike. Çdo sekondë që e kanë një pajisje të kyçur në rrymë, nga xhepi i tyre ndajnë para për NOA-n e për kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit, Luan Dalipi”, ka thënë ajo.
E, anëtarja e kryesisë të LDK-së në Ferizaj, njëkohësisht eksperte e energjisë, Janina Ymeri, tha se për të gjitha ato biznese që u shkëputet energjia elektrike, shpenzohet një çerek milioni euro në ditë për transport.
“Më 15, 16 dhe 17 (gusht), jemi duke shkuar mbi 250 mijë euro në ditë për shpenzime të transportit të energjisë elektrike. Për të gjitha ato biznese që sot po u shkyçet energjia elektrike, le të dihet që për transport po harxhohen çerek milioni në ditë. Dhe këtu po fiton në baza ditore nga Maqedonia kompania FT, e cila sipas Albin Kurtit ka qenë pasardhëse e strukturave të mëhershme serbe, ndërsa nga ana e Malit të Zi po fiton kompania NOA”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, nënkryetarja dhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se me shkyçjen nga rrjeti i disa kompanive, mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë.
“Situata është alarmante. Ky është vetëm vazhdimi i përpjekjeve të qëllimshme të lidershipit të LVV-së dhe vartësve të tyre për të shkatërruar sektorin privat, ashtu siç kanë bërë me institucionet e pavarura. Kjo mendësi totalitare i përket shekullit të kaluar, dhe shoqëria jonë nuk do ta tolerojë”, ka thënë Çitaku.
KEDS-i ka bërë të ditur se mëngjesin e së shtunës se ka filluar shkyçjen e mbi 1.400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.