Arbëri

KEK-u fiton në arbitrazh ndaj KEDS-it dhe KESCO-s, detyrohen ta paguajnë 8.3 milionë euro

Foto: Koha

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka fituar arbitrazhin kundër kompanive KEDS dhe KESCO për moskryerje pagesash, duke siguruar një vendim përfundimtar për kompensim në vlerë prej 8.3 milionë eurosh, që përfshin edhe interesin nga vonesat e pagesave.

KEK-u në njoftim shkruan se Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit, i themeluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), gjatë shqyrtimit të çështjes, ka konstatuar faktet e pakontestuara se KEK ka realizuar furnizimin me energji në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA) dhe se palët e paditura (KEDS dhe KESCO) nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.

“Gjithashtu, Tribunali ka vërtetuar se interesi për pagesat e vonuara është i paraparë dhe i lejuar me MFSh/BSA, dhe se kërkesa e KEK-ut për këtë pagesë është bërë në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale. Nga ana tjetër, vonesat në pagesa nga KEDS dhe KESCO nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore apo krizë energjetike, ndërsa KEK nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit, drejtësisë apo përgjegjësisë kontraktuale”, thuhet në njoftim.

Në bazë të vendimit të shpallur, “KEDS dhe KESCO detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, për interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara”.

Gjithashtu KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS/KESCO).

Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër.