Korporata Energjetike e Kosovës i është përgjigjur protestës së punëtorëve të cilët kanë kërkuar rrogë prej 1.100 eurosh.
Në protestën e mbajtur sot, punëtorët kanë deklaruar se si “Sindikatë e re e Korporatës Energjetike të Kosovës e dinë që mesatarja e pagës bazë është 750 euro”, porse sipas tyre, kryeshefi i KEK-ut ka deklaruar për pagë mbi 1.000 euro. Sipas punëtorëve, pagat reale janë shumë më të ulëta sesa ato që janë paraqitur nga kryeshefi.
Në një email dërguar mediave, KEK-u ka paraqitur një tabelë në të cilën thuhet se paga mesatare bruto e një punëmarrësi në vitin 2025 është 1,226.60 ndërkaq paga mesatare neto 1,080.12 euro.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ju siguron se mirëqenia dhe kushtet e punës së punonjësve mbeten prioritet i lartë i Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, në përputhje me përgjegjësitë profesionale dhe ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes, sigurinë e operimeve dhe përmirësimin e performancës mjedisore. KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj dialogut social me partnerët tanë socialë (dy sindikatat) për trajtimin e drejtë të çështjeve që lidhen me mirëqenien e punonjësve, gjithmonë në përputhje me performancën dhe mundësitë reale të ndërmarrjes. Bordi dhe Menaxhmenti vazhdimisht kanë treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe adresuar kërkesat e punonjësve dhe sindikatave, duke ruajtur stabilitetin financiar. Për vite me radhë, KEK ka ofruar përfitime të rëndësishme për punonjësit, përfshirë sigurim shëndetësor, transport, shujta të dinjitetshme, pagesa jubilare, pagesën e përvojës së punës, rritje lineare të pagave dhe bonuse vjetore”, thuhet në njoftim.