Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka demantuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut, Danica Marinkoviq. Ai në një konferencë shtypi ka thënë se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe këtë e ka shfrytëzuar për t’i ofruar dokumente Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe mediave për mbulimin e krimeve që bënte Serbia. Kelmendi e ka akuzuar pronarin e portalit “Paparaci”, Vehbi Kajtazi, për shantazh lidhur me rastin porse këtë ai e ka mohuar
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i ka mohuar raportimet se gjatë 1999-s ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, e cila e ka pasur përsipër trajtimin e rastit për masakrën e Reçakut dhe të cilën ajo asokohe e pati cilësuar si “ngjarje të trilluar”.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, Kelmendi ka thënë se lidhur me punën e tij në Gjykatë të Qarkut në kohën kur ka ndodhur masakra ka dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale dhe se kjo ka ndodhur pasi që një dëshmitar e ka përmendur në prokurori emrin e tij si person që ka punuar në gjykatë dhe pasi portali “Paparaci” ka shkruar që ai ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares Marinkoviq. Kelmendi ka theksuar se në atë kohë ai e ka mbajtur pozitën e procesmbajtësit dhe se ka dërguar dokumentet e gjykatës te organizatat që i kanë dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Jo vetëm që nuk kam qenë asistent i Danica Marinkoviqit, por kjo ka qenë e pamundur të ndodhë në jetën time. Kam punuar si bashkëpunëtor profesional, si procesmbajtës. E vetmja detyrë që unë kam mundur ta kryej ka qenë procesmbajtësi. Por, kam punuar në vijë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me subjektet politike shqiptare të asaj kohe”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se Marinkoviqi ka qenë gjyqtarja që i “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.
Kelmendi, i cili nuk e ka kontestuar faktin se ka punuar në Gjykatë të Qarkut edhe në periudhën kohore midis janarit dhe marsit të 1999-s, e ka fajësuar gazetarin Vehbi Kajtazi se është përpjekur që ta shtantazhojë para më shumë se tre vjetësh.
“Ai ka qenë te unë për të pasur përfitime për raste të caktuara, të cilat unë i kam pasur në punë. Për të bërë unë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për dobi të bizneseve që ai nuk e di në çfarë mënyre i përfaqëson. Pasi refuzova këto kërkesa dhe tentativa të tij për të ushtruar ndikim në punën time, ai më ka dërguar edhe SMS shantazhues për të cilat ka qenë i njoftuar edhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Shtetit, Aleksandër Lumezi. Ky portal dhe ky person i quajtur Vehbi Kajtazi, jo rastësisht sot e shkruan një artikull kundër meje”, ka theksuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit. “Të lexoj sot një gënjeshtër se Besim Kelmendi ishte në anën serbe në ditën e masakrës së Reçakut, kur është bërë vendshikimi, është turp i madh, gënjeshtër”.
Kelmendi ka aluduar se Kajtazi, i cili është pronar i portalit “Paparaci”, është duke u dhënë mbështetje përpjekjeve për ta hequr atë nga pozita dhe për ta bërë kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn.
Këto pretendime i ka mohuar Kajtazi, teksa e ka ftuar Kelmendin për ballafaqim televiziv.
“Unë Besim Kelmendit i përgjigjem në një studio televizive, të cilën e zgjedh ai. Unë dhe ai, live, dhe flasim për gjithçka. E dyta, vetëm për atë që e përmendi ‘shantazh’, unë Besim Kelmendit i them nëse unë e kam shantazhuar, atëherë ai ka qenë prokuror, ka mundur të më arrestojë atëherë (në atë moment v.j). Mundet edhe sot, sepse vepra penale e shantazhit është vepër e rëndë. Kështu që Besim Kelmendi le ta zgjedhë studion ku do që të ballafaqohet me mua dhe po i nxjerrim letrat. Kaq kam”, ka thënë Kajtazi, i pyetur nga KOHA lidhur me akuzën e drejtuar nga Kelmendi.
Lidhur me intervistimin e Kelmendit, gjatë ditës ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike (PDK), Ganimete Musliu, e cila ka theksuar se ai është mbajtur në detyrë pasi që presidentja, Vjosa Osmani, nuk e ka dekoruar Isufajn për kryeprokuror.
“Çfarë po ndodh sot me drejtësinë në Kosovë është turp dhe ky turp ka emër e mbiemër. Besim Kelmendi, që prej tre vjetësh mban pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron aty falë një vendimi të pastër politik të presidentes Vjosa Osmani. Ajo refuzoi të dekretonte Blerim Isufajn, një ish-ushtar i UÇK-së, dhe zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një person me të kaluar të diskutueshme në raport me Reçakun. Ky vendim është përgjegjësi e saj politike dhe morale”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Përjashtimin e Kelmendit nga sistemi i drejtësisë e patën kërkuar më herët në Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.
Në masakrën e Reçakut, forcat serbe patën vrarë 45 civilë shqiptarë. William Walker, i cili gjatë vitit 1999 ka shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i pati dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat. Pas kësaj masakre, në mars të 1999-s, NATO-ja i ka sulmuar caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë. Pas 78 ditësh sulme, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e ka mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800.000 refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës. Në luftën e viteve 1998-1999 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.