Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klerikë, politikanë e ushtarakë vlerësojnë lart harmoninë fetare në Kosovë

Kleriket fetare - Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Se a është bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore ishte pyetja që tentuan t’i përgjigjen klerikë e politikanë. Për myftiun Naim Tërnava bashkëjetesa nuk është thjesht një ideal, por një praktikë e jetuar. E kryetari i fondacionit “Drita”, Zef Gashi, tha se bashkëjetesa e qëndrueshme ndërtohet duke ruajtur identitetin

Udhëheqës fetarë myslimanë, katolikë e protestantë janë mbledhur të enjten në hapësirat e Fakultetit të Shkencave Islame rreth një tryeze dialogu të titulluar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”.

Nikoqiri i ngjarjes, myftiu Naim Tërnava në fjalimin e tij ka thënë se misioni thelbësor i fesë nuk qëndron në përçarje, por në afrimin e njerëzve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, këto janë vlera universale të përvetësuara më së miri nga populli i Kosovës.

“Ne jemi sot këtu për të reflektuar mbi një realitet që populli ynë e ka ndërtuar ndër shekuj, harmoninë dhe mirëkuptimin ndërfetar. Këto vlera janë bërë pjesë e identitetit tonë dhe një virtyt që e dallon shoqërinë tonë. Të nderuar, historia jonë e dëshmon se bashkëjetesa nuk është thjesht një ideal, por një praktikë e jetuar, besimet tona fetare janë pasuri shpirtërore dhe morale që i japin kuptim jetës dhe forcojnë lidhjet shoqërore”, ka thënë Tërnava.

Presidenti i fondacionit “Drita”, Zef Gashi, ka theksuar se e uniteti mund të ndërtohet edhe në një mjedis ku njerëzit dallojnë.

“Synimi ynë, pra, mbetet i njëjtë – të forcojmë të përbashkëtën pa cenuar të dallueshmen. Kjo është një sfidë e vazhdueshme, por edhe një thirrje e bukur që na fton të rritemi si individ dhe si bashkësi. Sepse vetëm duke e ruajtur identitetin tonë dhe duke respektuar identitetin e tjetrit mund të ndërtojmë një bashkëjetesë të qëndrueshme dhe të sinqertë”, është shprehur Gashi.

E nënkoloneli i KFOR-it, Darrell Hornback, ka thënë se është krenar që shërben për sigurinë e Kosovës.

“Në kohën e shkurtër që kam qenë këtu, jam frymëzuar nga njerëz që e quajnë Kosovën shtëpi dhe nga udhëheqësit fetarë që kam pasur mundësinë t’i takoj nga çdo traditë fetare. Kosova është një vend i bukur dhe i larmishëm, ditët më të mira për Kosovën janë përpara saj dhe ndihem i nderuar që luaj një rol të vogël në misionin e KFOR-it, ndihem i nderuar që luaj një rol të vogël duke ndihmuar në mbështetjen e një mjedisi të sigurt në mënyrë që ngjarje të tilla të mund të zhvillohen”, është shprehur ai.

Në tryezë ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe fetare.

“Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, hamame, teqe, kisha katolike dhe ortodokse, qendra kulturore hebraike – si dhe monumente të tjera me vlerë historike, duke u kthyer në hapësira të gjalla të kujtesës, besimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve. Aty ku njerëzit bëhen bashkë, aty, ata do ta kenë gjithmonë pranë qeverinë”, ka thënë Kurti.

Kjo ngjarje është organizuar për të dytin vit me radhë, ndërsa vitin e kaluar nikoqire ishte Kisha Katolike.