Arbëri

Nxënësve të Podujevës u vonohen kiflet

Vonesat e fillimit të vitit të ri shkollor kanë vonuar edhe furnizimin me kifle për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën të Komunës së Podujevës. Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ende nuk e ka bërë përditësimin e të dhënave të nxënësve, për t’i hequr nga lista ata që e kanë përfunduar klasën e pestë dhe për t’i shtuar ata që janë regjistruar në klasën e parë. Drejtorë shkollash presin që Komuna sërish të fillojë furnizimin me kifle, pasi thonë se kjo ka qenë lehtësim si për prindër, ashtu edhe për nxënës

Viti i ri shkollor ka nisur pa kifle për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollat e Komunës së Podujevës. Përveçqë është vonuar nisja e procesit mësimor, Komuna është vonuar edhe me përditësimin e listave të nxënësve. Arsyen se pse nuk ka nisur furnizimi me shujta thonë të mos e dinë menaxherë të shkollave. Tafil Thaçi, drejtor në shkollën “Jetullah Gashi” në fshatin Dobërdol, ka deklaruar se nga Drejtoria Komunale e Arsimit po presin që t’ua kërkojë listat e nxënësve, në mënyrë që të fillojë furnizimi me kifle.

“Ende nuk jemi furnizuar me kifle, sigurisht për arsye të grevës që është mbajtur deri në javën e kaluar, po presim që së shpejti të kërkohen shënimet nga ana e DKA-së, që t’i dërgojmë listat e numrit të nxënësve dhe të vazhdohet furnizimi me kifle, sikurse vitin e kaluar”, ka deklaruar Thaçi.

Furnizimin me shujta ai e ka quajtur lehtësim.

“Po, sigurisht se ka qenë një lehtësim shumë i madh për nxënësit, por edhe për prindërit furnizimi me kifle, për arsye se ushqimi ka qenë i njëjtë për të gjithë nxënësit dhe presim që së shpejti të furnizohemi nga ana e DKA-së, siç ka qenë vitin e kaluar”, ka shtuar ai.

Në Komunën e Podujevës thonë se për shkak të grevës dhe lëvizjes së nxënësve nga një shkollë në tjetrën ende nuk i kanë listat përfundimtare.

“Për shkak të vonesave në fillmvitin e ri shkollor dhe për shkak se në javët e para të çdo fillimviti shkollor bëhen lëvizje të nxënësve nga një shkollë në shkollën tjetër, ne po presim informatat e sakta nga secila shkollë për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë dhe pasi t’i kemi këto informacione, atëherë ne dhe do të fllojmë ta zbatojmë kontratën, e cila është aktive për shpërndarjen e kifleve për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, ka theksuar Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Greva në arsim kishte nisur më 25 gusht dhe ka përfunduar të premten e kaluar.

Por disa shkolla në Komunën e Podujevës kanë punuar pjesërisht edhe gjatë kësaj kohe. Njëra prej tyre ka qenë edhe shkolla “Jetullah Gashi” në Dobërdol.