Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës barazon berberët me bankat sa u përket taksave

Komuna e Prishtinës

Ashtu si bankat edhe berberët do t’ia paguajnë nga 1 mijë euro taksë vjetore Komunës së Prishtinës, bazuar në draftrregulloren e vendosur në konsultim publik tash e një javë.  

Sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë janë në mesin e 41 kategorive ekonomike të propozuara për t’iu nënshtruar tarifave të reja e të cilat fillojnë nga 300 deri në 3 mijë euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas draftrregullores, aktivitetet që do t’u nënshtrohen tarifave janë edhe ndërtimtaria, tregtia, shërbimet profesionale, transporti, arsimi privat, shëndetësia private e aktivitetet sportive.

Taksa më e lartë prej 3 mijë eurosh është paraparë për aktivitetet e spitaleve private dhe aktivitetet e specializuara private. 

Shumë e njëjtë është paraparë edhe për aktivitetet e mirëmbajtjes trupore.

E ordinancat dentare që operojnë në kryeqytet nëse aprovohet ashtu siç është propozuar rregullorja, do të duhet të paguajnë nga 2 mijë euro taksë vjetore.  

Po aq do të paguajnë edhe qendrat e thirrjeve.

Tarifa nga 500 deri në 1 mijë euro janë paraparë edhe për profesione të lira dhe shërbime profesionale. 

Veprimtaria e avokatëve dhe noterëve është paraparë të tarifohet me nga 1 mijë euro, e përmbaruesit me 700 euro. 

Ndërsa aktivitetet e kontabilitetit, libërmbajtjes, auditimit dhe arkitekturës me nga 500 euro.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka thënë se ky dokument nuk është finalizuar, se aktualisht është në proces të konsultimeve publike dhe se mund të pësojë ndryshime.

“Kjo është në diskutim publik. Nuk është se janë vendosur ato çmime, është i hapur diskutimi publik deri më datën 24 qershor, pas 24 qershorit do t’i marrim krejt komentet dhe argumentet dhe e shqyrtojmë edhe njëherë se ku mund të kemi qenë gabim dhe ku duhet të përmirësohet”, ka thënë ai.

Braha ka thënë se taksat janë vendosur për kategori që kanë ndikim në bashkëjetesën qytetare dhe që krijojnë ndotje e që kërkojnë nga Komuna shërbime për to.

Draftrregullorja parasheh që për bizneset e reja, në vitin e parë të lirohen nga taksa komunale.

Edhe subjektet afariste të regjistruara në emër të grave përfitojnë zbritje prej 50 për qind në dy vjetët e parë pas themelimit.

KOHA ka raportuar se në kuadër të kësaj rregulloreje parashihet edhe vendosja e taksës prej 10 eurosh për secilin qytetar që nuk është rezident në kryeqytet, e që hyn me automjet në qendër. Krahas kësaj, ka paraparë taksë prej 1 eurosh edhe për ata që nuk hyjnë me automjet, por e kalojnë natën në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se konsultimet publike për draftrregulloren janë të hapura deri më 24 qershor, periudhë gjatë së cilës palët e interesuara mund të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre.