Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës nuk heq dorë nga gjobat e kundërligjshme

Prishtina Parking - shenja e parkingut

Një vit pas vendimit nga Gjykata Supreme e Kosovës, që ka konstatuar se disa pika të rregullores së “Prishtina Parking” janë të paligjshme ose pjesërisht të tilla, qytetarët po vazhdojnë të përballen me paqartësi në lidhje me gjobat e shqiptuara. Organizatat që monitorojnë ligjshmërinë e këtyre vendimeve kanë thënë se Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë hapa për harmonizimin e rregullores me aktgjykimin

Gjoba prej 30 eurosh për shfrytëzuesit e vendparkimeve që menaxhohen nga “Prishtina Parking” janë konsideruar të kundërligjshme nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Pikërisht bllokimi i veturave, që për pasojë kishte gjobitjen, në rastet kur qytetarët nuk paguanin detyrimet financiare ndaj “Prishtina Parking” ishte rrëzuar nga Gjykata Supreme, bashkë me nëntë pika të tjera të rregullores, të cilat janë vlerësuar pjesërisht të paligjshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një vit pas këtij vendimi të Supremes, që është marrë pas ankesës nga GLPS-ja, Liridon Salihu nga kjo organizatë, ka thënë se Komuna e Prishtinës ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores për këtë ndërmarrje. 

“Asnjë nga gjetjet e Gjykatës Supreme nuk është duke u zbatuar. Komuna e Prishtinës po e injoron vendimin gjyqësor. Rrjedhimisht, sidomos te gjobat, pasi Supremja ka kërkuar të specifikohet qartë edhe shuma e gjobave për personat që nuk e paguajnë parkingun apo për arsye të tjera nuk arrijnë ta kryejnë pagesën. Po ashtu, duhet të rregullohen edhe çështjet që lidhen me parkimet e parregullta. Përderisa kjo procedurë nuk është rregulluar përmes plotësim-ndryshimit të rregullores, mund të themi se komuna po dështon vazhdimisht dhe, në njëfarë forme, po lejon që ‘Prishtina Parking’ të vazhdojë punën pa i respektuar kriteret e përcaktuara nga Gjykata Supreme”, ka thënë Salihu.

Ai ka theksuar se duke mos marrë asnjë veprim, institucionet janë duke u pajtuar me gjobitjen e qytetarëve.

“E ritheksojmë vazhdimisht se çështja e parkingjeve në kryeqytet duhet të rregullohet për shkak të numrit të madh të veturave dhe hapësirave të kufizuara për parkim në Prishtinë. Mirëpo, ajo që kërkojmë është që çdo masë, çdo gjobë dhe çdo rregull që vendoset për shfrytëzuesit e parkingjeve publike të jetë e bazuar në ligj dhe në asnjë mënyrë të mos dëmtohen qytetarët”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se GLPS-ja vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i paguajnë gjobat e shqiptuara nga “Prishtina Parking”, pasi ato janë të kundërligjshme.

E sipas avokatit, Anton Nrecaj, mospagesa pas përdorimit të parkingjeve publike përbën shkelje.

“Një gjobë për parking, për të qenë e ligjshme, duhet të përmbushë disa kushte: të mbështetet në një bazë të qartë ligjore, të shqiptohet nga organ kompetent dhe të përmbajë elemente formale si përshkrimi i shkeljes, baza ligjore dhe udhëzimi për ankesë”, ka thënë Nrecaj.

Ai ka deklaruar se në mungesë të këtyre elementeve, gjoba mund të kontestohet ligjërisht.

“Thënë shkurt, pagesa e parkingut në Prishtinë është obligim ligjor, por zbatimi i tij mbetet i sfiduar nga paqartësi institucionale dhe interpretimi i kompetencave. Derisa të krijohet një sistem më i qartë dhe i harmonizuar, kjo çështje pritet të vazhdojë të jetë temë debati publik dhe juridik”, ka thënë ai.

KOHA së fundmi ka raportuar se “Prishtina Parking” i është drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke i kërkuar 700.000 euro si pako për shpëtim, meqenëse kjo ndërmarrje ndodhet në krizë.

KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, përkatësisht në Drejtorinë e Inspektoratit, lidhur me gjobat e papaguara nga qytetarët, por tash e një javë nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk kanë kthyer as nga ndërmarrja “Prishtina Parking”.