Kandidati i Vetëvendosjes për president, Glauk Konjufca, ka thënë se do të hiqte dorë nga gara për president, nëse opozita del me kandidat konsensual. Por, sipas tij, në opozitë mungon vullneti për këtë, meqë synohen zgjedhjet e parakohshme
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se është i gatshëm ta tërheqë kandidaturën për president, në rast se opozita ofron një kandidaturë.
Por, ka theksuar se “nga aeroplani” shihet mungesa e vullnetit të opozitës për të zgjedhur presidentin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKonjufca tha të mërkurën se partitë opozitare po kalkulojnë në rënien e Vetëvendosjes në zgjedhjet eventuale të parakohshme, që do të shpalleshin nëse dështon zgjedhja e kreut të shtetit. Sipas tij, ata mbështeten në ndikimin që mund të ketë Vjosa Osmani.
“Përfshirjen e presidentes Osmani në skenën politike, prej nga ata kalkulojnë që kjo ndoshta do ta zbriste përqindjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Prej kur ka qenë ky element në garë nuk ka pasur propozime të sinqerta. Kjo është më shumë kalkulim i opozitës për zgjedhje. Ju lutem kjo shihet që po thonë ‘prej aeroplanit’”, ka thënë Konjufca.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, subjektet politike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus për presidentin.
E, në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, e cila u bojkotua nga opozita, fillimisht Konjufca u propozua nga Vetëvendosje, e më pas edhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. Seanca nuk u zhvillua, meqë në momentin kur duhej të zhvillohej votimi në sallë nuk ishin së paku 80 deputetë, sa kërkohen në raundin e parë e të dytë të zgjedhjes.
Konjufca u shpreh të mërkurën se është i gatshëm të tërhiqet nga gara për president nëse opozita arrin të propozojë një kandidat unifikues.
Sipas tij, përgjegjësia për të sjellë një emër konsensual i takon opozitës, e jo Vetëvendosjes.
“Më shumë barra e provës, ta quaj në këtë rast, bie mbi opozitën që të na e propozojë ndonjë emër, kurse ne t’i japim votat tona. Kjo ka qenë edhe ideja. Është shumë e kollajshme për opozitën që të japë emra. Siç e dini, mazhoranca tash i ka 66 vota dhe do të mund t’i vendosnim në funksion të zgjidhjes së një presidenti. Por po them që në momentin që opozita e gjen një president të përbashkët dhe e prezanton para nesh, ky nuk do të thotë që të ishte propozimi i krejt opozitës, por së paku i dy prej partive politike”, ka thënë ai.
Kushtetuta kërkon që presidenti i ri të zgjidhet jo më larg se një muaj përpara se t’i përfundojë mandati atij aktual. Seanca për zgjedhjen e presidentit u zhvillua më 5 mars, një muaj para se Vjosa Osmani ta përmbyllte mandatin. Të nesërmen, Osmani nxori dekretin, me të cilin e shpërndau Kuvendin.
Por, Kushtetuesja e shpalli të paefektshëm dekretin dhe vendosi që t’u japë kohë deputetëve deri më 28 prill, meqë konstatoi se nga nisja e mandatit ata nuk i patën në dispozicion 60 ditë për ta zgjedhur kreun e shtetit. E, sipas Kushtetutës, nëse zgjedhja dështon pas 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Pas aktgjykimit, kryeministri Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Vetëvendosjes, ka pasur vetëm një takim në kuadër të diskutimeve për kandidatin konsensual për presidentin. Ai ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se me LVV-në synon “marrëveshje të madhe” dhe nuk ia mbështet asnjërin kandidat.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar një ftesë të Kurtit për takim dhe ka thënë se asaj do t’i përgjigjet pozitivisht vetëm nëse është e shkruar dhe formale.
Kurti tha shkurt të mërkurën se tash për tash nuk ka diçka të re.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare. Kur të ketë rezultate, ju njoftojmë”, ka thënë ai.
Gjatë ditës është raportuar për mundësinë që Vetëvendosje ta lëshojë pozitën e kryeparlamentarit për LDK-në, e kjo parti ta mbështesë kandidatin e LVV-së.
Këtë e ka mohuar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.“LDK-ja dhe kryetari Abdixhiku janë në bisedime
për t’i dhënë vendit president. Shkrimet në media për ndërrime të pozicioneve janë të absolutisht të pavërteta. LDK-ja është parti e shpresës dhe e besës dhe angazhohet në vazhdimësi për institucione funksionale e përfaqësuese”, ka shkruar në Facebook Haziri. “Është dëshmuar tashmë se një parti dhe një udhëheqës janë të pamjaftueshëm për arritjen e qëllimeve politike të Republikës”.
Kurti vazhdimisht ka thënë se marrëveshja me Abdixhikun nuk do të garantonte votat e mjaftueshme për presidentin, nisur nga fakti se disa deputetë të LDK-së kanë thënë se nuk mbështesin kandidatë si Vjosa Osmani.
Në mesin e të tillëve është parë edhe Avdullah Hoti, i cili ka theksuar të mërkurën se presidenti nuk duhet të vijë nga Vetëvendosje. Sipas tij, gjatë pesë vjetëve të fundit, periudhë kur, siç tha, presidenti ka qenë nën kontrollin e Kurtit, janë nënshkruar ligje kundërkushtetuese pa vërejtje, është shkarkuar në mënyrë arbitrare kryetarja e KQZ-së, vendi ka mbetur pa kryeprokuror për gjithë këtë kohë dhe data e zgjedhjeve është caktuar sipas kërkesës së Vetëvendosjes.
“Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LVV-ja, një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë, që nuk e ka hallin se a propozohet sërish për president apo presidente. Vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve dhe evitohet koncentrimi i pushtetit te një person i vetëm”, ka theksuar Hoti.
Kosova ka hyrë në dy javët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon detyrimisht në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.