Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për t’u shqetësuar. Madje sipas tij, nuk ka nevojë të bëhet panik për këtë çështje.
Sipas Konjufcës, vërejtjet e SHBA-së nuk kanë të bëjnë me legalitetin e veprimeve të Qeverisë. Megjithatë, Konjufca potencon se këto janë gjithmonë kritika me vend, sepse SHBA-të e shohin Kosovën nga një nivel shumë më të lartë.
“I mirëkuptojmë plotësisht vërejtjet e kritikat që na japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë gjithmonë kritika me vend, sepse SHBA-të e shohin Kosovën nga një nivel shumë më të lartë sesa që e shohim ne gjendjen. E shohin edhe nga pikëpamja rajonale, nga ajo evropiane dhe në kontest të përgjithshëm global Qysh e shohim ne është e drejta e shtetit të Kosovës me shtri sundimin e ligjit e sovranitetin e vetë. Është perspektivë më e ngushtë, por është perspektivë e të drejtës së Kosovës. Vërejtjet e SHBA-së nuk kanë lidhje me legalitetin e veprimeve tona. Na japin të drejtë, por duhet më shumë përgatitje thanë”, ka shtuar Konjufca.
Ai ka thënë se beson se mund të gjendet një mes, ndërmjet veprimeve dhe ndarjes më herët të informatave për atë që po bëjmë.
“Pse duhet më shumë përgatitje, sepse mund të acarojë serbët, e të shfrytëzojë dikush situatën për me keqpërdor gjendjen e me bë ndonjë protestë. Kur ka protesta ka tensione, kur ka tensione mundet me u rreziku siguria. Kjo është perspektiva e SHBA-së. E jona është se duhet bërë veprimet. A mund të gjejmë mes që edhe të bëjmë veprimet edhe t’i ndajmë informatat më herët se çfarë do të bëjmë? Mendoj se është e mundshme dhe mendoj se tashmë qeveria është duke e bërë”, ka thënë Konjufca.
Nga SHBA-ja ka pasur reagime të ashpra pas rregullores së re të BQK-së, me të cilën euro-ja bëhet valuta e vetme për transaksione. Pala serbe e kishte interpretuar këtë si "ndalim të dinarit".