Arbëri

KQZ-ja gati për zgjedhje, LVV-ja shpreh shqetësim për votimin e theksuar me asistencë

Për votimin e balotazhit që do të mbahet të dielën, KQZ-ja i ka bërë përgatitjet e fundit. Që në orët e para të mëngjesit e bëri shpërndarjen e materialit zgjedhor drejt 18 komunave, ku kryetarët nuk u zgjodhën në raund të parë. E në mbledhjen e mëvonshme, anëtarë të KQZ-së u zhytën në polemika të ashpra për votimin me asistencë, për të cilin thanë se po përdoret për vjedhje votash

Pak para orës 8 të mëngjesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi punën për t’i kryer përgatitjet e fundit për shpërndarjen e materialit që do të përdoret në balotazhin e së dielës.

Fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat u ngarkuan nëpër kamionë, për t’u dërguar në 18 komunat, ku do të ketë balotazh. I gjithë procesi u bë nën përcjelljen e policisë.

Raund të dytë votimi për kryetarë komunash do të ketë në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

E për raundin e dytë, numri i qytetarëve me të drejtë vote u rrit për 543 votues.

“Pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj që kanë mbushur 18 vjeç nga 13 tetori deri më 9 nëntor dhe pas largimit të personave të vdekur dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë”, bëhet e ditur në një njoftim të KQZ-së.

Pas përfundimit të shpërndarjes së materialit, KQZ-ja mbajti mbledhje të rregullt që u përcoll me debat të ashpër lidhur me votimin me asistencë.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, ka thënë se votimi i personave që paraqiten se nuk dinë shkrim-lexim nuk duhet lejuar, pas rasteve të tilla më 12 tetor.

“Nuk mundemi ndryshe me u pastru prej kësaj ndërmarrje kriminale që na ka sjellë mijëra vota me asistencë, të njerëzve të shëndoshë si molla. Të cilëve u është blerë vullneti apo u është shantazhuar vullneti prej grupeve politike dhe parapolitike”, ka thënë ai.

Por, anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, e ka vlerësuar këtë përpjekje për t’ia mohuar një kategorie njerëzish të drejtën për votë.

“Një qytetar që është i paaftë për të votuar ose shënuar në fletëvotim është edhe një qytetar që nuk din shkrim-lexim. Po kërkoj që kësaj kategorie t’i tregojmë se çfarë dokumenti duhet të kenë që të dëshmojë që një x person është analfabet dhe nuk din shkrim-lexim”, ka thënë Gashi.

“Nuk ka nevojë dokument se s’ka dokument që dëshmon analfabetizmin. Sepse ka institucione që janë që 20 vjet, kushdo që pretendon që është analfabet mund të shkojë dhe ta mësojë alfabetin”, iu përgjigj Krasniqi.

Për këtë formë votimi, ankesë pati edhe anëtari tjetër i LVV-së, Sami Kurteshi.

“Në komunën e Hanit të Elezit janë lajmëruar 243 njerëz të verbër që kanë votuar me asistencë në emër të verbërisë 243. Kjo është vjedhje klasike në Han të Elezit. Në komunën e Malishevës janë diku 59 e i kemi diku 700 që janë lajmëruar si të verbër, a 59 marrin pension... Vota me asistencë në Kosovë është korrupsion, hajni, presion, shantazh ndaj kategorive më të dobëta, vajzave, grave dhe pleqve”, ka thënë Kurteshi.

Ankesë pati edhe për numrin e analfabetëve në komuna që kërkuan asistencë në votim.

“Numri i analfabetëve ose i personave me shkollë që janë analfabetë funksionalë në Kosovë po na del shumë i madh me PISA-n, ama qa i madh sa në Han të Elezit dhe në Malishevë nuk e ka paraparë as PISA”, ka thënë ai.

E Gashi i PDK-së ia përmendi Kurteshit edhe fenomenin e “trenit bullgar” që tha se u aplikua në Shtime.

“Kqyre qysh e gjun fjalën, ‘treni bullgar’ ka hyrë në Republikën e Kosovës, është instaluar nga PDK-ja. PDK-ja e ka zbuluar ‘trenin bullgar’ në Kosovë”, ka thënë Kurteshi.

“E ju po e përdorni”, iu përgjigj Gashi.

Qendrat e votimit, të dielën do të hapen në orën 7 dhe do të mbyllen në orën 19.