Arbëri

Dërgimi i fletëvotimeve në diasporë rrit koston e zgjedhjeve në 11.5 milionë euro

11 milionë e 493 mijë e 526 euro do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Buxheti për këtë proces zgjedhor është miratuar në mes të diskutimeve të shumta mes anëtarëve të KQZ-së në lidhje me atë se si duhet t’u dërgohen fletëvotimet votuesve jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do t’ua dërgojë fletëvotimet nëpërmjet postës votuesve jashtë Kosovës, një çështje kjo që e ka mbajtur peng deri të martën miratimin edhe të buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. 

Me gjithë diskutimet e zhvilluara pro dhe kundër zhvillimit të këtij operacioni gjatë mbledhjes të së martës të KQZ-së, shumica e anëtarëve të Komisionit kanë dhënë votën për. 

Paraprakisht, duke u bazuar në raportimin e Sekretariatit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë institucion kanë insistuar se krahas kostos më të lartë, procesi i dërgimit të fletëvotimeve do të dështojë. 

“Jemi të sigurt, në bazë të përgjigjes nga PTK-ja edhe nga DHL, që ky operacion do të dështojë. Jemi të sigurt. E kemi raportimin që kjo nuk mundet të realizohet... janë në pyetje mbi 3 milionë e 722 mijë euro që janë të parapara... edhe unë nuk jam i interesuar t’i djeg 3 milionë euro”, ka thënë Radoniqi, duke e vlerësuar absurd insistimin në një mënyrë të caktuar të zhvillimit të procesit.

Një ditë më parë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, në planin e prezantuar buxhetor nuk e ka përfshirë operacionin zgjedhor të dërgimit të fletëvotimeve me postë porse shkarkimin e tyre online nga votuesit e regjistruar. 

Një planifikim i tillë nuk ka arritur ta marrë përkrahjen e nevojshme në Këshillin për operacione zgjedhore dhe atë për buxhet, ku është shqyrtuar fillimisht. Anëtarë të KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Arianit Elshani dhe Ilir Gashi, ai nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Sami Hamiti dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, kanë insistuar se mosdërgimi me postë i fletëvotimeve te votuesit na diaspora është shkelje e rregullave zgjedhore, të miratuara nga vet KQZ-ja.

Duke iu referuar kostos shtesë të nevojshme dhe telasheve për dërgimin me sukses te të gjithë votuesit e regjistruar, anëtarët e LVV-së kanë insistuar që të miratohet rekomandimi i Sekretariatit.

“E kemi prej Sekretariatit, i kemi letrat prej postës edhe unë nuk kuptoj ose s’po mundem të kuptoj qëndrimin që domosdo me u fut mjetet, të shpenzohen mjetet kur kemi disa fakte, dëshmi se ka për të dështuar”, ka thënë Kurteshi i LVV.

E anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë argumentuar se bëhet fjalë për integritet të procesit zgjedhor.

“Sigurisht është shumë sfiduese të menaxhohet në plotni që të shkojnë fletëvotimet në secilin vend, është bajagi sfiduese kurrkush s’po thotë që është lehtë kjo punë... Krejt kjo është e nisur mbi paragjykime ka për të dështuar”, ka thënë Elshani i PDK-së, teksa ka shtuar se është duke u paragjykuar për suksesin apo jo të operacionit.
E Hamiti i LDK-së ka thënë se kostoja shtesë nuk duhet të jetë arsyetim për të rrezikuar integritetin e një procesi zgjedhor. 
“14 milionë Shqipëria i ka paguar për integritet të procesit zgjedhor, na po flasim për integritet të procesit zgjedhor. Kërkesa është të shkojë një fletëvotim origjinal, jo i nxjerrë... kjo është kërkesa për ta ruajtur një integritet. Nuk jemi duke bërë zgjedhje për diasporë, jem tu bo zgjedhje në Kosovë. Me bo një proces zgjedhor me të cilin e prish një integritet procesit zgjedhor unë nuk jam për atë”, ka thënë ai.

Kërkesa që në buxhet të përfshihet edhe shuma për dërgimin e fletëvotimeve me postë e ka rrëzuar me vota rekomandimin e Sekretariatit, i cili ka planifikuar që fletëvotimet të mund të shkarkohen online nga vet votuesit. Por, për votimin që bënë, anëtari i LVV-së, Krasniqi i ka paralajmëruar kolegët e tij, derisa e ka veçuar anëtaren nga komuniteti turk, Mufera Srbica Sinik. 

“Një paralajmërim po ua jap të gjithëve, edhe zonjës Mufera që votoi këtë pjesë. Më 12 dhjetor fillon afati i votimit përmes postës, ju tash që keni votuar për, jo veç buxhetin e keni votuar, dijeni për pasojat që keni me i pas edhe publikisht edhe administrativisht edhe cilado qofshin nëse për shkak të veprimeve tuaja mërgatës ju ja mohoni formën e votimit përmes postës”, ka thënë ai.

Krasniqi e ka lëshuar sallën e mbledhjeve, por atij iu përgjigj Sinik. Ajo ka thënë se i është bërë presion por nuk ka pranuar që të tregojë nëse ka qenë i orientuar nga anëtari i LVV-së, Krasniqi. 

“Tash dje, sot, mesazh në telefon sa herë kam  pas presion unë. Kam pas presion edhe çka mundemi me votu, kam votuar. Tash më thanë dy herë Mufera valla atë mos e bëjë”, ka thënë Sinik.

Me 6 vota për e 5 kundër, KQZ-ja e ka miratuar buxhetin për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Nga mbi 7 milionë e 771 mijë euro sa ka qenë e planifikuar fillimisht, me rekomandimin e ri kostoja e organizimit të zgjedhjeve tejkalon 11 milionë e 493 mijë euro.

Në mbledhjen e KQZ-së anëtarët lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë afatet e përcaktuara për zhvillimin e operacioneve në mënyrë që të ofrohet më shumë kohë për votimin nga jashtë. E të martën, vendim morën për qendrat e votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i 28 dhjetorit. Sipas tij, në ditën e zgjedhjeve do të hapen gjithsej 948 qendra të votimit prej të cilave 910 qendra për votim të rregullt e 38 të tjera, një në secilën komunë, për votimin me kusht.