Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimit” ka reaguar ndaj Komunës së Prishtinës, duke thënë se shkaku i thirrjeve që u janë bërë qytetarëve, borxhi nga janari deri në fund të prillit ndaj kompanisë ka arritur në 2.2 milionë euro.
“Bordi i Drejtorëve i KRM Pastrimi Sh.A. shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën ndaj veprimeve të Komunës së Prishtinës, të cilat po e dëmtojnë rëndë gjendjen financiare të ndërmarrjes sonë publike. Nga muaji janar e deri në faturën e muajit 30 prill 2025, borxhi i papaguar ndaj KRM Pastrimi ka arritur vlerën alarmante prej 2.2 milionë euro për shkak thirrjes publike të Komunës së Prishtinës drejtuar qytetarëve. Pavarësisht kryerjes së rregullt dhe të pandërprerë të shërbimeve të pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave, Komuna është duke dëmtuar kompaninë për faktin se nuk ka paguar asnjë cent që nga 1 janari 2025, duke krijuar rëndim të punës operative dhe vështirësi financiare për ndërmarrjen”, thuhet në reagimin e KRM “Pastrimit”.
Në reagim thuhet se situata ka sjellë vështirësi serioze në mbulimin e pagave të punëtorëve, shpenzimeve për deponimin e mbeturinave dhe furnizimin me derivate.
KRM “Pastrimi” ka thënë se si rezultat nga 1 maji rrezikohet mbyllja e dyerve të deponisë për deponimin e mbeturinave. Kompania ka thënë se rrezikohet ndërprerja e shërbimeve esenciale në kryeqytet e mund të rrezikohet seriozisht shëndeti publik.
“Për më tepër, thirrjet publike nga komuna drejtuar qytetarëve për mospagesë të faturave të mbeturinave tek KRM “Pastrimi”, e gjithashtu të nxitura dhe nga mungesa e përkrahjes institucionale të Komunës, po përkeqësojnë më tej gjendjen financiare dhe mund të çojnë në ndërprerjen e shërbimeve esenciale në Kryeqytet, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik dhe mjedisin si pasojë e mos grumbullimit të mbeturinave. Madje thirrjet për mospagesë janë në kundërshtim me Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave Nr.01-030/01-227581/23 i datës 01.12.2023 i marrë nga Kuvendi i Kryeqytetit, në mbledhjen e mbajtur me 05.12.2024 (protokolluar me nr.01-030/01-161704/24 date 06.12.2024”, thuhet në reagim.