Në margjina të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Gjatë këtij takimi, Kurti e përgëzoi homologun e tij për organizimin e suksesshëm të samitit dhe e falënderoi për mikpritjen.
“Dy kryeministrat diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, me theks të veçantë në funksionalizimin e dy pikave të përbashkëta kufitare”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në kuadër të samitit, Kurti dhe Mickoski folën edhe për procesin e integrimit evropian dhe për rëndësinë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili pritet të ndihmojë në përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
