Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti paralajmëron zgjedhje të njëpasnjëshme nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 28 prill

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

As zgjedhjet nuk janë zgjidhje për çështjen e presidentit, sipas kryeministrit Albin Kurti. Ai ka theksuar se nëse deri më 28 prill partitë nuk merren vesh për një emër, punë nuk do të kryejnë as së paku disa palë zgjedhje të reja. Sipas analistit Artan Muhaxhiri, deklaratat e Kurtit, por edhe të liderëve të tjerë partiakë, janë në funksion të një fushate të fajësimeve e jo përpjekje reale për zgjidhje.

Një seri të njëpasnjëshme zgjedhjesh ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, në rast se deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti. 

Kurti ndonëse nuk paralajmëroi përpjekje të reja, akuzoi partitë opozitare se nuk janë të interesuara për zgjidhje. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë”, ka deklaruar Kurti.

Për t’i dhënë zgjidhje ngërçit, ushtruesja e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu u shpreh e gatshme ta lirojë pozitën e kryetares së Kuvendit për partitë opozitare. 

Por edhe Haxhiu u shpreh skeptike në vullnetin e subjekteve opozitare për zgjidhje. 

“Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat 5 vjeçar dhe mua po më duket si ‘deja vu’. Nëse flasim për situatën aktuale dhe e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar duket situatë e njëjtë”, ka theksuar Haxhiu. 

Por sipas nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, situata i ngjan bllokadës së vitit të kaluar. 
Mirëpo, sipas tij, ky është model i sjelljes së Kurtit.

“Vitin e kaluar për çështje të kryetarit të kuvendit, sivjet për çështje të presidentit më herët për çështje të qeverisë, gjithmonë është diçka që zotëri Kurti e ka një qëllim por nuk e ndryshon asnjëherë, ndryshon metodë por jo kërkesa e tij”, ka thënë Haziri.

Ngjashmëri me krizën e vitit të kaluar sheh edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Sipas tij, gjatë bllokadës institucionale të vitit 2025, partitë u përfshinë në fushatë të fajësimeve. Por në fund fitoi diskursi i Vetëvendosjes. 

Muhaxhiri thotë se sërish po përdoret strategjia e njëjtë nga të gjitha palët. 

“Tashmë ka filluar fushata e fajësimeve dhe po e shohim vazhdimisht që, ta zëmë, veprimet i kanë krejt të kundërta, çdo ditë po flasin se si asnjëra palë nuk do të shkojë në zgjedhje mirëpo kjo është hipokrizi që fatkeqësisht ka pasur sukses herën e kaluar dhe është krejtësisht zhgënjyese që kjo është shndërruar në një model të sjelljes politike”, ka deklaruar ai. 

Muhaxhiri nuk e përjashton mundësinë që Vetëvendosje të dalë me një emër të ri për president, duke tentuar ta paraqesë atë si kandidat konsensual.

Mirëpo ai thotë se një kandidat konsensual duhet të burojë nga konsensusi, në të kundërtën, nuk është i tillë. 

“Është paradoksale të imponohet kandidati konsensual. Pra, kushdo që është konsensual do të duhej që të vinte pas diskutimeve të mëdha, me liderë opozitarë, me parti dhe pas një harmonizimi shumë të gjerë të spektrit politik. Në momentin kur thua ‘ky është kandidati konsensual’, ai më së paku është i tillë”, ka theksuar Muhaxhiri. 

Dy subjektet më të mëdha opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike i kanë shpallur të mbyllura përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje për presidentin.

PDK-ja refuzoi të marrë pozitën e kryeparlamentarit në këmbim të votave për president dhe nënkryetarit të Kuvendit. E LDK-ja, përpos kësaj alternative, ka refuzuar edhe t’i bashkohet Kurtit në qeverisje.

Të martën është dita e fundit deri kur legjislatura e 10-të mund ta zgjedhë presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.