Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kusari-Lila: Masa të reja tregtare ndaj Serbisë për mbrojtjen e prodhuesve vendorë

Mimoza Kusari-Lila

Foto: EO

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar dy vendime të reja ndaj Serbisë, që ka thënë se kanë të bëjnë me vendosjen e masave anti-damping për importin e farës së grurit dhe kufizimin sasior për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini.

Kusari-Lila tha se vendimet synojnë mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Të dyja këto vendime janë të bazuara në analiza statistikore dhe janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Ditën e djeshme, kam marrë vendim për fillimin e hetimit zyrtar lidhur me importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia”, tha ajo në një konferencë për media.

Ajo theksoi se hetimi është iniciuar pas ankesës së prodhuesve vendorë të farës së grurit, të cilët kanë ngritur dyshime për shitje me çmime damping nga Serbia.

“Pas shqyrtimit të kërkesës nga Departamenti i Tregtisë dhe konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, gjetjet e analizës preliminare tregojnë se ekzistojnë indikacione se importi i këtij produkti nga Serbia, përmes shitjes me çmime damping dhe në sasi të konsiderueshme, si dhe me cilësi të dyshuar, po shkakton dëme materiale ndaj industrisë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë”, tha Kusari-Lila.

Sipas saj, analiza preliminare është mbështetur në të dhëna të siguruara nga Dogana e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe çmimet e shitjes në tregun e Serbisë.

“Analiza preliminare bazohet në zhvillimet e sektorit të prodhimit të farës së grurit në Kosovë, duke u mbështetur në të dhënat e siguruara gjatë hulumtimit të prodhuesit vendor, pikat e shitjes me pakicë, të dhënat nga importi, nga Dogana e Kosovës, të dhënat mbi kapacitetet prodhuese dhe nevojat e tregut të siguruara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe çmimet e shitjes në tregun e Serbisë. Nëse gjatë fazës së hetimit vërtetohen dyshimet për aplikimin e çmimeve damping dhe dëmin e shkaktuar ndaj industrisë vendore, në përputhje me nenin 39 të Ligjit për Masat Anti-Damping dhe Masat Kundërbalancuese, si ministre do të marr vendim për vendosjen e detyrimeve të përkohshme anti-damping për mbrojtjen e prodhimit vendor”, tha ajo.

Kusari-Lila bëri të ditur se është marrë edhe vendim për kufizim sasior të importeve të aluminit nga Serbia.

“Kam marrë sot vendim për të përcjellë në qeveri, i cili ka të bëjë me vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Kusari-Lila sqaroi se masa parasheh kufizim të importeve dhe tarifa shtesë për sasitë që tejkalojnë kuotën e përcaktuar.

“Kjo masë synon mbrojtjen e prodhimit vendor, rivendosjen e kushteve të drejta të konkurencës dhe garantimin e trajtimit reciprok në marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve. Vendimi do të dorëzohet në Qeveri, parasheh pika si në vijim. Vendoset kuota sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit, artikujt prej aluminit me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendor dhe sigurimin e kushteve të barabarta të konkurencës në Republikën e Kosovës”, tha Kusari-Lila./EO