Lidhja Demokratike ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në kryeqytetin të cilin e qeveris, në tubimin e mbajtur në sheshin kryesor. Aty, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia është ringritur.
Ai tha se tubimi përbën moment historik për partinë dhe për Kosovën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në sheshin më të madh ku kryengritja e djathtë kombëtare po merr formë, po merr trajtë, po merr flakë. Në sheshin ku historia e Kosovës do të shënojë edhe një datë, datën kur u kuptua qartë se LDK është ringritur edhe një herë në këmbë. Datën kur LDK-ja dhe populli i Kosovës u bënë një. Datën kur themi me plot zemër: ‘Krejt Kosova LDK’”, ka thënë Abdixhiku, i cili është kandidat i LDK-së për kryeministër. “Sonte e shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën. Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë dhe kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës”.
Edhe bartësja e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila është nominuar nga partia kandidate për presidente, ka thënë se shteti po hyn në një kapitull të ri të historisë së tij, të bazuar në bashkim, dinjitet dhe besim.
“Për të mbyllur këtë fushatë, por në të njëjtën kohë për të hapur një kapitull krejtësisht të ri të historisë sonë, një kapitull të bashkimit, një kapitull të dinjitetit të rifituar. Një kapitull ku Kosova ecën përpara, e lirë, e bashkuar dhe sypatrembur për të ardhmen e saj”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se fushata ka shërbyer si një rrugëtim në gjithë Kosovën, ku janë dëgjuar shqetësimet e qytetarëve nga të gjitha komunat.
“Kemi udhëtuar kudo në Kosovë këto ditë. Nga Prizreni deri në Mitrovicë, nga Peja deri në Gjilan, nga fshatrat e Drenicës deri në lagjet e Prishtinës. Kemi parë fytyrat e prindërve që zgjohen çdo mëngjes me frikën se fëmijët e tyre do të marrin rrugën e mërgimit. Kemi dëgjuar të rinjtë që ëndërrojnë një të ardhme këtu, në atdheun e tyre. Kemi dëgjuar gratë që punojnë ditë e natë dhe shpesh nuk u njihet merita e tyre”, u shpreh ajo. “Çdo takim kudo në Kosovë na ka treguar një gjë: Kosova meriton shumë më tepër sesa ajo që po e merr sot. Unë besimin e kam te ju, te forca, mençuria dhe vendosmëria e këtij populli”.
Të dy kanë ftuar kryeqytetasit dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, që të votojnë LDK-në të dielën, kur mbahen zgjedhjet e parakohshme.