Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, tubimin qendror elektoral në ditën e parafundit të fushatës e ka organizuar në komunën që e ka quajtur shtëpi të tij. Në parkun e qytetit të Mitrovicës, para mbështetësve, ai ka thënë se nëse qytetarët i kanë besuar për ta udhëhequr Mitrovicën në një mandat, ua kërkon besimin për ta udhëhequr edhe Qeverinë e Kosovës.
Para se t’i shpaloste premtimet, ai ka thënë se Kosova nuk është mirë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne lëvizëm gjithandej Kosovës. Jemi në fund të fushatës. Kemi qenë në qytete e fshatra, kemi takuar njerëz të moshave, gjinive e të profesioneve të ndryshme. Kosova është në krizë”, ka thënë ai. “Kjo situatë duhet ta ketë një fund, sepse qeveria që do ta udhëheqë PDK-ja, do ta kthejë Kosovën kah e mbara dhe kah rruga e progresit”.
Hamza ka thënë se qeveritë maten me rezultate e me të arritura. Pas Qeverisjes së Kosovës prej gjashtë vitesh nga Vetëvendosja, ai ka thënë se duhet shtruar një numër pyetjesh.
“Cilat janë projektet me të cilat identifikohet një qeveri? A është përfunduar rruga Prishtinë-Pejë, rruga Prishtinë-Podujevë, rruga Prishtinë-Gjilan, rruga Dollc-Gjakovë, rruga Prishtinë-Mitrovicë, hekurudha Hani i Elezit-Leposaviq? Sa shkolla, sa spitale? A janë rritur pagat, a janë rritur pensionet, a është përmirësuar standardi i jetesës së qytetarëve?”, janë pyetjet e listuara nga Hamza. “Ne ballafaqohemi çdo ditë me çmime të larta. Çmimet janë rritur 30-40 për qind. Ka çmime që janë rritur edhe 100 për qind, siç është çmimi i energjisë elektrike”.
Ai ka shtruar pyetje edhe për investimet e planifikuara në energji.
“Pse u ndërpre investimi amerikan në Kosovën e Re. Pse u refuzua projekti i gazit? Më kë me u lidhë Kosova nëse nuk ka partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ka dy zgjidhje. Ose me ngelë pa furnizim me energji elektrike dhe pasiguri energjetike, ose me u lidhë me gaz nga Rusia”, ka thënë Hamza. “E jo, Kosova është me Amerikën”.
Në këtë tubim, Hamza ka ironizuar me disa projekte të Qeverisë Kurti.
“Nuk them që nuk kanë punuar kurrgjë, sepse po i përmendin dy projekte me të cilat mund të identifikohet kjo qeveri – është ura e Saradranit dhe së fundmi vada e Lupqit”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se PDK-ja garon me program të matshëm, të zbatueshëm, konkret e që i adreson nevojat e qytetarëve dhe prioritetet e Kosovës. Ai ka bërë thirrje për mobilizim e votim të PDK-së.