Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ai do të qeverisë në kryeqytet në bashkëqeverisje me disa parti, pak pasi Lidhja Demokratike e Kosovës me të cilën i fitoi mandatet, mohoi një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Rama ka thënë se Prishtina ndodhet para një momenti historik dhe zhvillimor dhe se procesi kërkon stabilitet institucional, bashkëpunim e vendimmarrje të përgjegjshme. Ndër projektet e mëdha që e presin kryeqytetin, sipas tij, janë Lojërat Mesdhetare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët. Qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, prandaj ata janë përgjegjësi e PËRBASHKËT. Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme. Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh”, ka shkruar ai para se të theksonte se ka finalizuar marrëveshje me disa parti politike, përfshirë PDK-në. “Duke vendosur qytetarin në qendër dhe duke qenë të vetëdijshëm se pushteti është shërbim, e jo instrument bllokimi, kemi finalizuar bashkëqeverisjen në Kryeqytet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe së fundmi me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK)”.
Përderisa LDK-ja ka mohuar koalicion me PDK-në në kryeqytet, Rama ka thënë se emërimet nga LDK-ja janë bërë nga një mekanizëm i themeluar nga vetë partia.
“Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale. Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet!” ka shtuar ai.
Rama ka thënë se drejtorëve të deritashëm u ka përfunduar mandati.
Ai ka ofruar mbështetje për LDK-në edhe në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës! Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim. Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”, ka përfunduar ai.
Në ditët e fundit, LDK-ja është shprehur e distancuar nga Rama në Prishtinë. Rama ka shkarkuar drejtorë që janë të afërt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e i ka zëvendësuar me njerëz të PDK-së.
Sipas LDK-së, marrëveshja e Ramës nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe vullnetin e kësaj partie.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagimin e LDK-së. “LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”.
Sipas kësaj partie, çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të saj.
“Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet në reagimin e LDK-së. “Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”.
Edhe, drejtorët e shkarkuar e kanë kritikuar kryetarin Rama për vendimin.
Të hënën Sokol Havolli u shkarkua nga posti i drejtorit për Investime Kapitale. Në vend të tij u emërua Zyhrije Pllana.
“Është shkarkim. Të enjten kam pasur një takim me kryetarin. Më njoftoi se dëshiron të bëjë disa ndryshime”, ka thënë Havolli për KOHËN, duke shtuar se nuk ka kërkuar sqarime për arsyet e vendimit, por ka thënë se vendimi është i ndikuar nga PDK-ja.
E të martën, ka reaguar edhe Samir Shahini, pasi u shkarkua nga posti i drejtorit të Arsimit. Shahini në një postim në Facebook ka thënë se mandati i tij ka mbaruar me vendim të kryetarit të Prishtinës.
“Një gjë dua ta them qartë: puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë”, ka shkruar Shahini në Facebook.
Në mandatin e parë, Rama ka pasur koalicion me PDK-në, por i cili ishte shkëputur rreth një vit para zgjedhjeve të fundit lokale.