Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Lëvizja Revolta” kërkon transparencë lidhur me aplikimet për shtetësi

Protesta - Lëvizja Revolta

Foto: Driton Paçarada

“Lëvizja Revolta” të martën ka zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar publikimin e numrit të personave që kanë aplikuar për shtetësinë e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë. Përfaqësuesit e saj kanë akuzuar Ministrinë për mungesë transparence dhe kanë paralajmëruar protesta nëse nuk marrin përgjigje

Me mesazhet “Nuk ka shtet pa llogaridhënie”, “Institucionet nuk janë pronë private” dhe “Heshtja e ministrisë është alarm”, “Lëvizja Revolta” ka zhvilluar një aktivitet simbolik para Ministrisë së Punëve të Brendshme, të martën.

Përmes aksionit, anëtarë të kësaj lëvizje kanë shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës lidhur me aplikimet për shtetësinë e Republikës së Kosovës pas miratimit të Ligjit të ri për Shtetësinë.
Përfaqësuesi i “Lëvizjes Revolta”, Rilind Kuçi, ka thënë se i janë drejtuar MPB-së me kërkesë për të marrë informacione rreth numrit të aplikuesve serbë për shtetësi, por sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne kemi informata që një numër shumë i madh, i konsiderueshëm i serbëve veçse kanë aplikuar për me marrë shtetësi. Sipas analizave tona, me këto dy nene rritet numri potencial i serbëve, të cilët munden me marrë shtetësi në Kosovë deri në 1 milion. Dhe nëse janë 1 milion persona serbë të cilët munden me marrë shtetësi në Kosovë, atëherë çfarë kuptimi kanë krejt viktimat e luftës në këtë vend, që e kanë dhënë jetën për me i largu edhe tash me i kthye prapë në paqe?”, ka thënë ai.

Sipas Kuçit, ndonëse kanë kaluar dy javë prej kur i janë drejtuar Ministrisë me pyetje, ky institucion nuk ka ofruar përgjigje.

Ai ka kërkuar përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ka paralajmëruar se, në mungesë të transparencës, “Lëvizja Revolta” do të organizojë edhe protesta. 

“E para i parashtrohet Ministrisë së Punëve të Brendshme: duhet të na kthejnë përgjigje sa më shpejt me na tregu sa është numri i serbëve që kanë aplikuar për ta fituar shtetësinë. Kërkesa e dytë u drejtohet qytetarëve të këtij vendi: i lus të gjithë që të jenë vigjilentë ndaj kësaj çështjeje, sepse jemi duke folur për një rrezik të madh që ka ky vend. Prandaj duhet të reagojmë. Unë po i them Ministrisë se sa më e madhe të jetë heshtja, aq më e madhe do të bëhet revolta, prandaj i lus të përgjigjen sa më shpejt, të mos mbajnë private kurrgjë. Sot është aktivitet simbolik, por ne e paralajmërojmë Ministrinë që nëse nuk ka reagim të shpejtë për këtë çështje, atëherë ne paralajmërojmë thirrje për protestë”, është shprehur Kuçi.

Më 22 maj ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Shtetësinë.

Dispozitat e këtij ligji, që ua njohin të drejtën për fitimin e shtetësisë qytetarëve të ish-Jugosllavisë që më 1 janar 1998 kishin statusin e banorit të përhershëm në Kosovë, si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë, kanë nxitur reagime.

Deputetë të opozitës kanë akuzuar qeverinë në detyrë se me këto ndryshime ua ka mundësuar shtetësinë shumë serbëve që nuk jetojnë më në Kosovë.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se kjo dispozitë buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është pjesë e rendit kushtetues të Kosovës që nga viti 2008.