Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova duhet ta përcaktojë qartë rrugën e saj strategjike, duke u rreshtuar pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ka thënë, pas kritikave se gjatë fushatës, lidershipi i LDK-së është thirrur vazhdimisht në Ibrahim Rugovën, kryetarin e saj historik.
“Si nuk arrijnë ta kuptojnë se ne po e ndjekim një filozofi, një bindje politike, që i ka vënë themelet më të forta, më të qëndrueshme të Republikës së Kosovës. Një filozofi politike që sot na shpërfaqet më së miri me një qëndrim zyrtar të aleatit më të madh të Republikës së Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për një paralajmërim të madh se Kosova duhet të zgjedhë qartë rrugën e vet strategjike përpara: a do të shkojë në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me kundërshtarët tanë historikë”, ka thënë Abdixhiku, në tubimin e mbajtur në Vushtrri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAbdixhiku premtoi gjithashtu realizimin e projektit të gazifikimit të Kosovës me gaz amerikan.
“LDK-ja do ta implementojë menjëherë, pa asnjë vonesë, projektin e madh të gazifikimit të Kosovës dhe atë me gaz amerikan”, është shprehur ai.
Edhe prijësja e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur për raportet me SHBA-në. Ajo iu referua rëndësisë së partneritetit strategjik me SHBA-në për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.
“E bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse as zhvillimi, as ekonomia e as siguria nuk ndërtohen vetëm”, ka thënë Osmani.
Gjatë ditës, LDK-ja ka realizuar edhe aktivitete të tjera.
Abdixhiku ka premtuar ndërtimin e një mori objektesh për kulturën e artin në Kosovë.
Në një takim të enjten në Prishtinë me artistë, shkrimtarë, piktorë e njerëz të artit e kulturës, Abdixhiku është zotuar për ndërtimin e Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrin e ri Kombëtar, Muzeun e Paqes dhe Rezistencës, Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe Qendrën e Librit.
Ai ka thënë se këto projekte janë në mesin e 113 zotimeve që LDK-ja ka prezantuar para qytetarëve për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Shteti ndërtohet me identitet, kujtesë e krijimtari. Me artistët, shkrimtarët, piktorët e njerëzit e kulturës që i japin shpirt shoqërisë sonë. Prandaj, arti e kultura nuk do të jenë në margjina, por pjesë e dinjitetshme e zhvillimit të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.