Kryetari i Aleancës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, ka akuzuar pushtetin se e ka izoluar vendin dhe se epoka e mashtrimit, sipas tij, do të përfundojë më 7 qershor.
Gjini në një postim në Facebook, të enjten, ka thënë se Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vjetët e fundit, duke u rritur, sipas tij, nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i gazit amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit”, ka thënë Gjini. “Në takimin tim të para dy ditëve me u.d. ambasadoren Prattipati, ia bëra të qartë pozicionin tonë: Qëndrimi i Aleancës për gazin amerikan mbetet i palëkundur. Ky projekt është shtylla kryesore e planit tonë qeverisës, njëjtë siç kishte qenë edhe atëherë kur e kishim sjellë në Kosovë, falë miqve tanë ndërkombëtarë”.
Kur të tjerët eksperimentonin me fatin e Kosovës dhe refuzonin mbi 200 milionë dollarë grante falas nga MCC-ja amerikane, sipas Gjinit, Aleanca paralajmëronte për këtë krizë.
“Sot faturat e larta të rrymës po i paguajnë familjet dhe bizneset kosovare sepse qeveria në ikje dëboi investimet dhe teknologjinë amerikane për llogari të politikave izoluese. Plani ynë parasheh zhbllokim të menjëhershëm të projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë. Do t'i bashkohemi menjëherë projekteve të gazit natyror nëpër Ballkan për të siguruar pavarësinë tonë energjetike”, ka thënë Gjini.
Ai ka theksuar se siguria energjetike është siguri kombëtare.
“Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor”, ka thënë kreu i Aleancës. “Kosova do t’i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në ditën e tetë të fushatës, Aleanca ka zhvilluar një numër aktivitetesh, përfshirë edhe takimin qendror të ditës që e ka realizuar në Suharekë. Aty është bërë thirrje për mobilizim të mbështetësve në mënyrë që sa më shumë të dalin për votim më 7 qershor.