Arbëri

Masa e SHBA-së mund ta përshpejtojë formimin e qeverisë, thonë njohësit

Pezullimi i dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës u bë pas një periudhe të gjatë ngërçi institucional, që sipas njohësve mund t’i ndryshojë dinamikat e brendshme edhe në përshpejtimin e formimit të institucioneve të reja. Sipas tyre, ky veprim i SHBA-së ka për qëllim të dërgojë një mesazh të qartë se vonesat në krijimin e tyre lë hapësirë për krijim të tensioneve

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, mund t’i ndryshojë dinamikat e brendshme në kuptim të zhbllokimit të ngërçit institucional, thonë njohës të zhvillimeve politike. 

Analisti Lulzim Veliu vlerëson se ashtu siç u njoftua nga SHBA-ja, përgjegjësia kryesore bie mbi Kurtin, porse shton se kjo nuk i amniston as subjektet e tjera. 

“Vendimi i fundit i qeverisë amerikane për pezullimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një lajm shumë i keq, lajm shumë i dëmshëm për Kosovën, për Qeverinë, dhe ishte i drejtuar kryekëput ndaj kryeministrit të Kosovës. Por unë mendoj se një pjesë të përgjegjësisë u takon edhe edhe subjekteve tjera politike që deri më tani nuk treguan gatishmëri dialogu, konsensusi për arritjen e një marrëveshje për krijimin  e qeverisë”, ka thënë Veliu.  

Sipas tij, vendimi i SHBA-së është prapakthim për Kosovën në aspektin ndërkombëtar. 

“Ishte një shuplakë për Kosovën në këtë situatë mjaft të keqe në të cilën gjendet gjeopolitika sot dhe si e tillë duhet të trajtohet dhe të merret shumë seriozisht në mënyrë që të bëhet e mundur një orë e më parë krijimi i të gjitha institucioneve dhe dalja nga ky ngërç politik, por edhe rishikimi i mundësisë për rikthimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai. 

Të premten, Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se do ta pezullojë dialogun strategjik të paralajmëruar me Kosovën. Sipas kësaj ambasade, vendimi është pasojë e deklaratave dhe veprimeve të Qeverisë në detyrë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Dialogu strategjik është proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës, me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Përveç se u konsiderua ndëshkimi më i madh që Kosova mori nga SHBA-ja për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, pati zëra nga opozita e deritashme për unifikim në krijimin e një qeverie. Nëpërmjet një deklarate, Partia Demokratike e Kosovës tha se të gjitha forcat politike properëndimore duhet të bashkohen dhe “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”. Ftesë për t’u bashkuar bëri edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi reflektim.

Pak orë nga njoftimi i Ambasadës së SHBA-së për ndërprerjen e dialogut strategjik me Kosovën, udhëheqësit e tri partive deri tash në opozitë takuan të ngarkuarën me punë, Anu Prattipati. Ndonëse janë shprehur të shqetësuar me situatën e krijuar pas veprimit të SHBA-së, nga takimi nuk është ndarë hollësi nga asnjëra palë. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të shtunën se janë të obliguar të mos flasin për takimin që një ditë më parë kanë zhvilluar ai dhe liderë të tjerë partiakë me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati. 

E Veliu nuk e përjashton as mundësinë e diskutimeve për krijimin e një qeverie nga ish-opozita. 

“Vetë fakti se liderët opozitarë patën biseda në ambasadë, pra me përfaqësuesin amerikan, për të cilat nuk deshën dhe nuk dhanë asnjë informacion jashtë, lënë për të dyshuar se është duke u bërë një marrëveshje në mes të subjekteve politike opozitare që të arrihet krijimi i qeverisë pra edhe pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe pa kryeministrin Kurti, gjë që unë mendoj se sipas numrave dhe mund të arrihet pasi që ne e dimë që votat të shqiptarëve opozita ka diku pesëdhjetë e një që janë tre më shumë se Lëvizja Vetëvendosje”, ka potencuar ai. “Krijimi i një qeverie qoftë edhe nga Vetëvendosje apo nga opozita është e domosdoshme në mënyrë që të merremi me riparimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, nga i cili jemi tash e më tepër se dy vite jemi nën sanksione, nën embargo e ekonomike. Pra, janë gjëra që duhen reflektuar një orë e më parë”. 

Që nga 15 prilli kur nisën seancat konstituive legjislatura e nëntë nuk arriti ta finalizojë konstituimin e Kuvendit, për të kaluar te hapi tjetër, ai për formimin e qeverisë. Pas shumë tentativave dhe dy aktgjykimeve të Kushtetueses ligjvënësit e zgjodhën kryetarin, nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga radhët e komunitetet joshumicë joserbe. Bllokada u kthye te zgjedhja e nënkryetarit serb, ku kandidatët e Listës Serbe nuk morën shumicën e votave e as Nenad Rashiqi që u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje por jo edhe partitë e tjera shumicë shqiptare. 

Me gjithë insistimin e Vetëvendosjes se Kuvendi mund të vazhdojë punën pa nënkryetarin serb, ankesa e Listës Serbe bëri që Kushtetuesja të vendosë një masë tjetër të përkohshme, e vlefshme deri më 30 shtator.