Arbëri

Mbi 16 milionë euro për zgjedhjet lokale, KQZ-ja i kërkon qeverisë buxhet shtesë

Shuma e buxhetit, që Komisioni Qendror Zgjedhor planifikon ta shpenzojë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është mbi 16 milionë euro. Në mbledhjen e së premtes, po ashtu, është vendosur për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve, ku një subjekt ka të drejtë të shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në komunën përkatëse

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka miratuar të premten planin e buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat mbahen më 12 tetor. Buxheti i aprovuar, i cili i parasheh të dyja raundet për kryetarë komunash,  kap vlerën prej 16 milionë e 126 mijë e 364 euro. KQZ-ja do të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës 6 milionë e 468 mijë e 412 euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve planifikohen për trupat zgjedhore, që do të angazhohen në zgjedhjet, sikurse janë komisionerët dhe stafi tjetër përcjellës, në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

KQZ-ja, po ashtu, mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike, të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë t’i shpenzojë deri në 2 euro për çdo votues të regjistruar në atë komunë.

“Janë kalkuluar për më shumë se 10 mijë votues, kufizimi i shpenzimeve vlen një euro për votues, ndërsa deri në 10 mijë votues është një euro e 50 centë, pra vlera totale është 2 milionë e 99 mijë, 767. Kufizimi i shpenzimeve vlen për ato subjekte politike, që certifikohen për ato komuna përkatëse dhe në ato komuna, ato nuk mund t’i tejkalojnë shpenzimet e fushatës”, ka thënë Besnik Buzhala – drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar.

Paraprakisht, anëtarë të KQZ-së e kërkuan rishikimin e vendimit, që i përcaktonte 1.5 euro shpenzimet për çdo votues.

“Në zgjedhjet parlamentare numri i kandidatëve është më i vogël, por në zgjedhje lokale janë tetë fish më shumë, andaj edhe duhet të rishikohet kjo pjesa e shpenzimeve, që të jenë transparente dhe mos ta ngufasim shpenzimet, ku me një përllogaritje të thjesht del se 20 euro është në ditë niveli i shpenzimeve të lejuara për një kandidat, minimumi nja 5 euro i shkojnë shpenzime të veta atij”, ka theksuar Alban Krasniqi i LVV-së.

“Ne nuk guxojmë që me kufizimet tona, të bëjmë një ngufatje të shpenzimeve të subjekteve politike, apo kandidat të caktuar, të bëjnë veprime tjera ndoshta të jashtëligjshme, dhe pastaj t’i ikim deklarimit. Prandaj, nuk guxojmë t’i ngufasim kaq shumë, sepse një periudhë 4 mujore është e gjatë që subjektet politike të shërbehen vetëm me një euro, pra është fakt që ose duhet të rritet ose kjo shumë duhet të mbetet vetëm për periudhën 30 ditore”, ka deklaruar Ilir Gashi (PDK).

E, Muharrem Nitaj nga AAK-ja tha se shuma prej një euro apo një euro e gjysmë është qesharake në kohën, që dihet se sa e kushtueshme është një fushatë për partitë politike.

“Nëse vendosim një euro, i detyrojmë partitë politike të krijojnë sistem paralele të fushatave të tyre,  që kalon disa herë atë që parashihet”, ka thënë ai.

Subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithashtu, kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës, pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime.

Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve, si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas së cilës numri i përgjithshëm i votuesve është 2.071,544 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po ashtu, ka njoftuar të premten se periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende komunale do të fillojë më 23 korrik 2025.

Gjatë periudhës 38 ditore (23 korrik – 29 gusht 2025) të gjithë shtetasit e Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës përmes platformës elektronike të KQZ-së, ose përmes postës, duke e dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

“KQZ-ja do t’i publikojë të gjitha shpjegimet për hapat, që duhet të ndiqen për regjistrim përmes platformës apo përmes postës, si dhe informacionet për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.

Ndërkaq, periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit, që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit.