Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë se Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm, derisa ka theksuar se “është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura” kundër tij.
Ajo në deklaratën përmbyllëse për rastin ka shtuar se ZPS-ja mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat që ka ngritur, derisa potencoi se asnjë dëshmitar nuk ka thënë se është keqtrajtuar nga Krasniqi.
"Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij... Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, ka thënë ajo.
Më tej mbrojtja e Krasniqit e ka akuzuar ZPS-në se ka zgjedhur dokumente dhe dëshmi të dëshmitarëve sipas interesave të saj.
Alagendra ka thënë tutje se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të Krasniqit me krimet.
“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndikuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë”.
Ajo e cilësoi “të paplotë” dhe “të shtrembëruar” dokumentacionin që ofroi ZPS-ja.