Arbëri

MD-ja do t’i kërkojë raport OAK-së rreth bojkotit ndaj Gjykatës së Pejës

Teksa kanë mbetur edhe pak javë deri në seancën e radhës për vrasjen e Agonis Tetajt, shoqëria civile ka kërkuar që konflikti midis Odës së Avokatëve dhe Gjykatës së Pejës të zgjidhet. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë do të kërkojë raport nga kjo odë lidhur me situatën e krijuar rreth rastit

Raport rreth situatës së krijuar midis Odës së Avokatëve dhe trupit gjykues në Gjykatën e Pejës për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt do të kërkojë Ministria e Drejtësisë nga Oda.

Në një përgjigje me shkrim, kjo ministri e ka quajtur situatën si të paprecedent, teksa ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Odës me kërkesën për raport dhe se në bazë të tij do të veprojnë tutje.

“Ministrja Haxhiu, tashmë ka pasur komunikim me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe në javën e ardhshme do t'i drejtohet me kërkesën për raport lidhur me situatën e paprecedent që lidhet me vendimin e Këshillit Drejtues të OAK-së. Ministria e Drejtësisë do të shqyrtojë dhe do të veprojë mbi bazën ligjore të kompetencave të saja institucionale. Pas raportit që do ta pranojmë nga Oda e Avokatëve ne do të veprojmë brenda kompetencave tona. Vendimet e plotfuqishme të gjykatave janë mbi secilin vendim të institucioneve të tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Një bllokadë e tillë është krijuar pas përjashtimit nga rasti i avokatit Besnik Berisha, i cili ishte duke e përfaqësuar të akuzuarin Shaban Gogaj, që për rreth tre vjet është duke u përballur me drejtësinë.

Lidhur me këtë rast dhe për veprimet e ardhshme që do të mund të ndërmerren, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.

Ndonëse kryetari i kësaj Ode, Behar Ejupi, nëpërmjet telefonit i ka thënë KOHËS se do të lajmërohej më vonë, ai më nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Kjo odë ka vendosur që pas përjashtimit të Berishës, asnjë avokat tjetër të mos caktohet në bazë të detyrës zyrtare, me justifikimin se gjyqtarja nuk ka vendosur drejt. Madje në një reagim të publikuar në fillim të nëntorit e ka cilësuar si shqetësim serioz urdhrin e gjyqtares Violeta Hysaj - Rugova, që ky organ të caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare në një afat të shkurtër.

“Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, lidhur me urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë, nr. PKR.nr.43/19 të datës 29.10.2021, paraqet këtë shqetësim serioz, pasi që kryetarja e trupit gjykues, znj. Violeta Husaj - Rugova ka lëshuar urdhrin e lartcekur, me të cilin i është drejtuar OAK-së që të caktojë avokat sipas detyrës zyrtare brenda një afati shumë të shkurtër, për një rast që gjyqtarja e ka pasur të njohur faktin se Këshilli Drejtues i OAK-së ka marrë vendime lidhur me këtë çështje e të cilat i janë dorëzuar kësaj gjykate dhe KGJK-së”, thuhej në reagimin e Odës.

Shoqëria civile ka kërkuar që një zgjidhje për çështjen të gjendet sa më parë, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi dhe që të mos reflektojë në vendimin që do të merret.

Yll Zekaj nga IKD-ja ka thënë se sa më parë duhet të reflektojnë të gjitha palët.

“Besoj që duhet të reflektojnë edhe Oda e Avokatëve të Kosovës e edhe Këshilli Gjyqësor, dhe kryetarja e trupit gjykues bashkë me avokatin që të gjendet një rrugëdalje nga kjo situatë, që të konsultohen të gjitha dispozitat ligjore, atë që ia lejon Kodi i Procedurës Penale, qoftë edhe gjyqtares që të gjejnë modalitete për të proceduar tutje, dhe të mos e bllokojnë procesin në të cilin mund të cenohen të drejtat e të akuzuarit”, ka thënë ai.

Derisa familjarë të Agonis Tetajt e avokati i tyre, Berat Tmava, nuk kanë dashur që të flasin lidhur me këtë, duke thënë vetëm se janë duke e pritur seancën e radhës që është caktuar për këtë muaj.

I akuzuari për vrasje të rëndë, Shaban Gogaj, javën e kaluar ka paditur trupin gjykues duke ia kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim, me arsyetimin se ka pasur shkelje të shumta të ligjit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, Gogaj kishte qëlluar në kokë Agonis Tetajn, i cili ishte në vendin e tij të punës.