Arbëri

Me gjithë zotimet, mësimi tërëditor s’do të nisë në tri shkolla të Prishtinës

Në tri shkolla të Prishtinës nuk do të nisë mësimi gjithëditor, ndonëse vitin e kaluar ishte paralajmëruar nga, atëherë, ushtruesja e detyrës së drejtores së Arsimit, Jehona Lushaku. Drejtuesit e shkollave “Xhavit Ahmeti”, “Gjergj Fishta” dhe “Shkëndija” konfirmuan se nuk janë bërë përgatitjet që nga 1 shtatori, reforma të zgjerohet edhe në to. E, njohësit e arsimit thonë se kryeqyteti nuk ka kushte për ta aplikuar këtë model, meqë përballet me probleme më bazike

Tri shkolla fillore në Prishtinë, që ishin pjesë e programit për zgjerimin e mësimit gjithëditor nga ky vit, nuk janë të përgatitura për të zbatuar këtë model.

Shkollat fillore “Xhavit Ahmeti”, “Gjergj Fishta” dhe “Shkëndija”, vitin e kaluar u përmendën nga atëherë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku – tashmë deputete e LDK-së në Kuvend – si pjesë e programit që do të zgjerohej nga ky vit.

Por drejtuesit e këtyre shkollave e kanë konfirmuar se mësimi nuk do të nisë me këtë model, por nuk kanë pranuar të japin sqarime të detajuara për arsyet.

“Kemi vendosur vitin e ardhshëm. Sepse ashtu e kemi paraparë dhe për këtë arsye këtë vit jo”, ka thënë Minire Musliu-Berisha, drejtoreshë e shkollës fillore “Shkëndija”.

Informata nuk ka dhënë as Supije Zhitija, drejtoreshë e shkollës fillore “Gjergj Fishta”.

“Ju lus, Drejtoria Komunale e Arsimit është kompetent me u përgjigj. Unë ju thashë që shkolla jonë nuk është përfshirë ne mësimin tërëditor”, ka thënë ajo.

Ende nuk dihet nëse këto tri shkolla janë zëvendësuar me ndonjë tjetër për mësimin gjithëditor. 
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, ndërsa as ish-drejtoresha e Arsimit në Prishtinë,  Jehona Lushaku, nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike që i janë bërë.

E, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, e ka cilësuar situatën më shumë politike sesa arsimore. 

“Kjo tregon për mungesë të një qasjeje sistematike të paplanifikuar dhe flet për një proces më shumë politik sesa profesional arsimor. Prandaj unë iu kisha sugjeruar udhëheqësve të Prishtinës që të mos bëjnë eksperimente të tilla, por ta formojnë një grup të mirë të ekspertëve të cilët e planifikojnë se a bën apo nuk bën të organizohet mësimi tërëditor si duhet në Prishtinë. Personalisht Komunës së Prishtinës i kisha thënë ‘shko e rregulloje një herë edukimin në fëmijërinë e hershme’. I ka vetëm 10 për qind përfshirje, edhe njëkohësisht ky nivel i edukimit është themelor për me pasë sukses nivelet më të larta të shkollimit”, ka thënë ai.

Rexhaj ka thënë se është shqetësuese zhvillimi i mësimit tërëditor në kushtet aktuale që ka kryeqyteti.

“Të fillohet mësimi tërëditor në Prishtinë është një lloje risku, rreziku që e merr administrata komunale, sepse kushtet…. nëse diku në Kosovë kushtet janë të rënduara për mësim tërëditor, është Prishtina e edhe Fushë-Kosova, sepse janë të stërngarkuara. Për shembull, për ta bërë mësimin tërëditor, Prishtina duhet t’i ketë menjëherë brenda natës dyfishin e hapësirave shkollore në mënyrë që të gjitha shkollat, të mund ta mbajnë mësimin tërëditor, jo në dy ndërresa, por në një ndërresë”, ka thënë ai.

Nga 1 shtatori i vitit të kaluar mësimi gjithëditor nisi në pesë shkolla të kryeqytetit: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Qamil Batalli” dhe në “Shkollën e Gjelbër”.

Një pilotprojekt për mësimin gjithëditor pati nisur para shtatë vjetësh, por u ndërpre për mungesë të kushteve infrastrukturore.