Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se mbrojtja e sigurisë kombëtare nuk mund të bëhet përmes konferencave për media dhe kritikoi qasjen e presidentes Vjosa Osmani ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Miftaraj reagoi pas deklaratave të presidentes Osmani në konferencën për media të martën pasdite, ku ajo arsyetoi tërheqjen e kërkesës për seancën konstituive nga Gjykata Kushtetuese për shkak të caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues.
“Siguria kombëtare nuk mbrohet përmes konferencave për media. Nuk sulmohet Gjykata Kushtetuese në këtë mënyrë nga Presidentja e Republikës”, deklaroi ai.
Lidhur me gjyqtarin Laban, Miftaraj kujtoi se IKD-ja e kishte kundërshtuar publikisht emërimin e tij që në momentin e parë, por theksoi se reagimet institucionale duhet të mbeten në kuadër të rendit kushtetues dhe të shmangin politizimin.
“Siguria kombëtare ruhet dhe mirëmbahet nga autoritetet kompetente, dhe kurrë përmes politizimit të Gjykatës Kushtetuese apo sulmeve të tilla nga Presidenca”, shtoi ai.
Sipas Miftarajt, veprimet e fundit paraqesin një gabim të rëndë dhe ndërtojnë një kulturë të re politike që, siç tha ai, cenon seriozisht pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
