Autore: Ilirjana Thaqi
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoInstitucionet e vendit tash e disa vjet vazhdojnë të japin paga për punonjësit që nuk shkojnë asnjëherë në punë.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro për 61 punonjës të komunitetit serb, të cilët ishin sistemuar në bazë të vendimit të Qeverisë nr. 06/39 të vitit 2015, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas raportit mungon evidenca e qartë për vijueshmërinë e tyre në vendin e punës.
“Ministritë përkatëse i kanë vendosur në listën e pagave këtë kategori të punonjësve para krijimit të kushteve/hapësirave fizike për punë, sistemim, angazhim dhe monitorim të tyre, që i bën këto pagesa të parregullta. Punonjësit e angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2025 nuk janë të sistemuar në pozita të rregullta dhe, sipas të dhënave të disponueshme, nuk ushtrojnë aktivitet në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA-ja ka vlerësuar se pavarësisht gjetjeve nga ky institucion, rekomandimi i tyre për këtë çështje vazhdon ndër vite të mos zbatohet.
“Sa i përket zbatimit të rekomandimeve, raportet e auditimit tregojnë se pavarësisht progresit të evidentuar, niveli i zbatimit mbetet ende i pamjaftueshëm. Një numër i konsiderueshëm i tyre përsëritet nga viti në vit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA-ja ka kërkuar nga ministri të ndërmarrë veprime për gjetjen e një zgjidhjeje për këta punonjës duke shtuar se duhet të ndërmerren veprime në përputhje me kërkesat ligjore.
KOHA i ka nisur pyetje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lidhur me gjetjet e evidentuara në raportet e auditimit, por tash e disa nuk ka marrë përgjigje.
Sipas ZKA-së, edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka paguar rreth 120 mijë euro për 19 punonjësit serbë që nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë gjatë vitit 2025.
Vetëm për punonjësit serbë të MMPH-së nga viti 2020 deri në vitin 2025, janë shpenzuar gjithsej 2.1 milionë euro.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, paga pa shkuar në punë marrin edhe mbi 100 punonjës të tjerë të komunitetit serb të sistemuar në katër ministri.