Ministria e Punëve të Brendshme, pas nisjes së zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete, ka njoftuar se ka publikuar një dokument udhëzues për informimin e shtetasve të huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e thuhet se me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet: të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi; të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet; të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit; të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor; të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë; të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës; të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës; të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Në rast të qëndrimit afatshkurtër thuhet se: I huaji mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda periudhës kohore prej 180 ditësh pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet. Gjatë kësaj periudhe thuhet se nuk i lejohet puna/punësimi pa leje pune dhe se çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
“Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi: kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë; kërkohet leje pune; kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë; puna pa leje është e ndaluar. Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit”, thuhet në njoftim.
Ministria ka dhënë sqarime dhe për qëndrimin në Kosovë për qëllime të tjera.
“Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet: pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit. Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente thuhet se mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në: “anulimin e lejeqëndrimit, shqiptimin e gjobës, urdhërimin e largimit dhe ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës”.
Ligji për të huajt dhe ai për automjetet kanë nisur të zbatohen nga sot (16 janar).
Por Qeveria në detyrë e ka zgjatur përsëri periudhën informuese për zbatimin e disa dispozitave të tyre. Zbatimi i këtyre ligjeve ishte shtyrë herën e fundit nga nëntori deri më 15 janar.
Ligji për të huajt parasheh se të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Ndërkaq ai për automjetet specifikon që të gjitha veturat me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Sipas Ministrisë zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. “Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.